(VIDEO) Autostrada Shkup-Bllacë mbetet veç në letër

(VIDEO) Autostrada Shkup-Bllacë mbetet veç në letër

Episodet për paralajmërimet e përfundimit të autostradës Shkup-Bllacë po vazhdojnë, por assesi të kenë një fund. Një rrugë 14 kilometërshe, janë ndërtuar vetëm dy, e janë promovuar disa herë, por ende nuk janë lëshuar në përdorim. Një histori e nisur shumë vite më parë, nuk po gjen epilogun e saj. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikollovski akuzon ish drejtorin e Ndërmarrjes “Rrugë Shtetërore” Ejup Rrustemin se ka bërë projekt vështirë të realizueshëm, dhe për të cilën nuk ka para të mjaftueshme. Sipas Nikollovskit ndryshe është të vizatosh rrugë në zyrë, por ndryshe është t’i ndërtosh në terren.

ALEKSANDAR NIKOLLOVSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE

“Këto 12 kilometra, nuk lëvizin nga traseja ekzistuese që të gjithë e njohim, pra përmes magjistrales ekzistuese që çon nga Shkupi deri tek kufiri me Kosovën, sepse nga ana e Kosovës deri aty ka arritur autostrada. Por, nga udhëheqësia e kaluar e NP ‘Rrugë Shtetërore’ në krye me Ejup Rrustemin, edhe sot nuk e dimë përse, kanë vendosur që të mos shkohet nga ajo trase, por nga një trasë e re, e cila është trasë malore dhe prej së cilës nga 12 kilometrat, 6 kilometra janë tunel, që janë shumë vështirë të ndërtohen”.

Me Ndërmarrjen Publike “Rrugë Shtetërore”, ai tha se momentalisht po bëjnë revizion se a është projekti i realizueshëm, që nëse nuk është, të gjendet zgjidhje tjetër. Mjetet e siguruara nga Banka Evropiane për  Ripërtëritje dhe Zhvillim, shtoi se nuk janë të mjaftueshme për këtë projekt të ri. Ndërsa, për një muaj e gjysëm sqaroi se do të dalin me zgjidhje, që do të thotë financim të prjektit dhe realizim të projektit.

Kurse dy kilometrat e parë të rrugës Shkup-Bllacë tha se janë në fazë finale dhe pa dashur të japë datë konkrete tha se është reale të lëshohen në përdorim dy muajt e ardhshëm. Këto dy kilometra kanë nisur të ndërtohen që në vitin 2020.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

 

MARKETING