(VIDEO) Autobusët privat së shpejti kthehen në rrugët e Shkupit
Qyteti i Shkupit publikoi thirrje publike për transportuesit privat. Në konkursin e shpallur janë të përmendura të gjitha linjat e autobusëve privat që për momentin nuk qarkullojnë trafik. Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, pohon se konkursi i sotëm për 16 linja autobusësh, ku pritet të paraqiten transportuesit privat, është i njëjtë me konkursin e mëparshëm ku nuk u paraqit asnjë transportues pasi ata kërkonin që së pari t’u paguhej borxhi prej rreth j 1.5 milionë euro. Arsovska, e cila muaj me radhë thoshte se nuk ka borxh ndaj kompanive private, edhe pse edhe DAP e konfirmoi këtë, tani pohon se është gjetur zgjidhja dhe siguron se transportuesit privatë do të paguhen në të njëjtën mënyrë siç janë paguar në 30 vitet e fundit.
Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit
“Arsyet e bllokadës ishin pjesërisht me motive personale dhe pjesërisht me motive politike. Nuk dua të hyj në ato manipulime që u bënë publike, por ka pretendime të vazhdueshme. Kur keni lidhur një kontratë, keni faturim të avancuar për atë kontratë, këto janë detyrime të papaguara. Për çdo gjë që është pretendim aktual nga kontrata e re dhe nga kontrata e mëparshme, transportuesit privat dhe NTP kanë gjetur një rrugë të përbashkët, po vazhdojnë dhe ato detyrime do të paguhen në mënyrë të vazhdueshme siç kanë qenë në 30 vitet e kaluara”
Ajo shpreson që kur të mbarojnë të dy javët, aq sa zgjat thirrja publike, NTP dhe privatët do të vazhdojnë të organizojnë së bashkë transportin publik. Arsovska, bëri të ditur se do të mundohen të rinovojnë parkun e autobusëve, edhe të atyre privat, për çka tashmë është formuar ekip, që do të kërkojnë zgjidhje për të gjithë sfidat.
Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit
“Për kënaqësinë tonë të madhe, dhe besoj edhe për anën e kundërt, gjetëm një platformë të përbashkët për të ecur përpara. Vazhdon bashkëpunimi edhe për disa tema të tjera, të cilat duhet t’i diskutojmë, veçanërisht duke pasur parasysh se po vjen një reformë e madhe në transportin publik. Ne duam të përshtatemi plotësisht me ato eko-standarde që janë të nevojshme që qytetarët të kenë jo vetëm transport publik cilësor dhe të shpejtë, por edhe transport publik ekologjik, i cili do të jetë në drejtim të një mjedisi jetese më të pastër dhe më të shëndetshëm”
Transportuesit privat, për shkak të një borxhi prej 1.5 milionë eurosh, fillimisht e ndërprenë transportin në nëntor të vitit të kaluar dhe u ankuan se për shkak të borxhit nuk kishin para për të blerë naftë për të vazhduar përmbushjen e detyrimeve dhe më pas bllokuan qytetin. Kryetarja e Qytetit më pas refuzonte të takohej me përfaqësues të sektorit privat sepse ata e ofenduan dhe ishte e pamundur të fliste me ta, por më pas vendosi t’i pranoj kur ata zgjodh përfaqësues të rinj për negociata.
Linda Ebibi /SHENJA/