(VIDEO) Atentati ndaj kryetarit të Haraçinës, sulmuesit janë ende të lirë

(VIDEO) Atentati ndaj kryetarit të Haraçinës, sulmuesit janë ende të lirë

Sulmuesit, të cilët qëlluan drejtë kryetarit të komunës së Haraçinës ditën e hënë, janë ende të lirë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka arrestuar asnjë personë në lidhje me këtë konfrontim. Kështu ka deklaruar zëvëndësministri i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev.

Kjo deklaratë vjen pasi  të martën, në media u njoftua se Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar dy persona, nën dyshimin se kanë ndihmuar në sulmin e armatosur gjatë ditës së hënë ndaj kryetarit të komunës në Haracinë.  Zëvëndësministri konfirmoi për “Slloboden Peçat” se Ministria e Punëve të Brendshme  ka arrestuar një person, mirëpo kjo nuk ka lidhje me sulmin në Haraçinë, përkundrazi personi kërkohet me fletëarrest ndërkombëtar dhe është  kthyer nga Republika e Kosovës.

MITKO BOJMACALIEV, ZËVËNDËSMINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Dua të mohoj disa shkrime që kam lexuar mbrëmë se kemi arrestuar persona të lidhur me atë përplasje. Ata persona që janë arrestuar, gjegjësisht ai person nuk është i lidhur me të shtënat në Haraçinë, por gjatë kontrollit rutinë që kemi në kufi dhe që e bëjmë nga ajri dhe nga toka. Aty është arrestuar një person i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar. Pra ai arrestim nuk ka lidhje me rastin në Haraçinë.”

Ai shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka persona të dyshuar në lidhje me sulmin e armatosur, por që sulmuesit janë ende të lirë, e për këtë ai tha se nuk duhet të ketë sensacion në media.

MITKO BOJMACALIEV, ZËVËNDËSMINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Dëshiroj që opinioni të dijë se unë jam një person kaq transparent dhe sa isha pjesë e kabinetit të Spasovskit, jemi munduar të jemi gjithmonë transparentë dhe objektivë, të mos krijojmë sensacion në media, siç u përpoqën të bëjnë disa struktura mbrëmë se kemi arrestuar persona . Edhe një herë e përsëris se ende nuk kemi persona të arrestuar për të shtënat dhe tentativën për vrasje në Haraçinë. Ata persona janë arrestuar për një rast krejtësisht tjetër dhe në rrethana të ndryshme.”

Ndërkaq, Prokuroria Publike ditën e martë, ka njoftuar se policia ende është në kërkim të sulmuesit i cili pasditen e së hënës me armë automatike ka qëlluar drejt kryetarit të komunës, Ridvan Ibrahimi, duke plagosur dy persona.

Dy të lënduarit, njëri me plagë nga arma e zjarrit në kraharor dhe tjetri në shpatullën e djathtë janë transferuar për trajtim në Qendrën Emergjencës në Shkup dhe në Klinikën për sëmundje kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit”. /SHENJA/

 

MARKETING