(VIDEO) ASH Taravari: VMRO-VLEN-Levica po zbaton “Qytetin e Sigurt” në mënyrë selektive
Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Arben Taravari vlerëson se koalicioni VMRO–VLEN–LEVICA po zbaton projektin e “Qytetin e Sigurt” në mënyrë selektive, po shkel Ligjin e Gjuhëve dhe po dëmton ekonominë e qytetarëve me dënime disproporcionale. Nga parti opozitare theksojnë se zbatimi i këtij ligji ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese, duke dëmtuar drejtpërdrejt jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Komunikimi zyrtar me qytetarët, përfshirë njoftimet dhe sanksionet që burojnë nga projekti “Qytet i Sigurt”, po realizohet pa respektuar të drejtat gjuhësore të qytetarëve shqiptarë. Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe të parimeve kushtetuese të një shteti multietnik dhe demokratik”.
Aleanca për Shqiptarët kërkon rishikim të lartësisë së dënimeve dhe të pjesës së tolerancës, në mënyrë që siguria në komunikacion të mos shndërrohet në barrë të rëndë ekonomike për qytetarët. Ata vlerësojnë se zbatimi selektiv i projektit “Qytet i Sigurt ” vetëm në disa qytete është i padrejtë dhe diskriminues, ndërsa për këtë, ASH njofton se do ta ankimojë Ligjin për Kundërvajtje në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim siç thonë, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe barazisë para ligjit.
Samir Mustafa /SHENJA/

