(VIDEO) Arrestohet një shtetas serb në Shkup, planifikonte vrasje
Një shtetas serb është arrestuar në Shkup nën dyshimet se po përgatiste kryerjen e një vrasjeje në emër të një grupi kriminal, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas autoriteteve serbe, arrestimi është realizuar pas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Policisë Kriminale të Serbisë, Shërbimit për Luftimin e Krimit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
I arrestuari, i identifikuar me inicialet S.M. (42), dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut me qëllim kryerjen e veprave të rënda penale, ndërsa objektivi kryesor besohet të ketë qenë një likuidim.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë konfirmoi se aksioni u krye të hënën nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Përveç S. M., janë ndaluar edhe dy persona të tjerë.
MPB
“U kryen bastisje në disa lokacione në Shkup, gjatë të cilave u gjetën drogë, para, telefona celularë, uniformë taktike e zezë, thikë ushtarake, pistoletë e markës CZ, si dhe municion. Tre persona janë privuar nga liria, dy prej të cilëve janë shtetas serb dhe një shtetas maqedonas”.
Sipas informacioneve operative, S.M. lidhet me një grup të organizuar kriminal dhe në Shkup kishte ardhur me një detyrë konkrete – realizimin e një vrasjeje. Autoritetet kompetente në të dy vendet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, përfshirë identifikimin e porositësit, motivet dhe bashkëpunëtorët e mundshëm të të dyshuarit. /SHENJA/

