(VIDEO) Andonovska: Spasovski ndërhyri për të shpëtuar pronarin e diskotekës “Pulse”

“A e telefonoi Oliver Spasovski Shërbimin e Sigurisë në Shtip dhe kërkoi të flasë me policinë në Koçan për të shpëtuar pronarin e diskotekës Pulse? Çfarë fshehin Prokurori Publik dhe Kocevski?”, ka deklaruar deputetja e VMRO-DPMNE-së Marija Andonovska. Sipas kësaj deputetje, në qendër të një skandali të ri politik po del emri i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Deputetja Andonovska ngre një sërë pyetjesh serioze, duke kërkuar përgjigje nga Prokuroria Publike dhe Ljupço Kocevski, se a është ndërhyrë nga maja e pushtetit për të mbrojtur pronarin e diskotekës “Pulse” në Koçani?
Marija Andonovska, deputete nga VMRO-DPMNE
“Prokuroria Publike dhe Ljupço Kocevski duhet të tregojnë nëse kanë hetuar këtë rast dhe nëse e kanë thirrur Oliver Spasovskin për bisedë informative, nëse është bërë verifikim në polici në Shtip dhe Kochani dhe nëse ka ekzistuar vërtet një ndërhyrje e tij. A kanë vepruar Prokuroria Publike dhe Ljupço Kocevski sipas ligjit, apo po e fshehin dhe e mbrojnë Oliver Spasovskin? Prokuroria dhe Kocevski nuk duhet të heshtin. Cila është roli i Oliver Spasovskit në mbrojtjen e pronarit të diskotekës “Pulse” dhe në funksionimin e saj?”
Ajo thotë se sipas informacioneve që dolën në publik, të zbuluara nga mediat, po dalin në pah të dhëna tronditëse për përfshirjen e niveleve më të larta të pushtetit të LSDM-së në rastin e funksionimit të paligjshëm të diskotekës “Pulse”. Konkretisht, mediat kanë publikuar një bisedë telefonike midis djalit të pronarit të “Pulse” –Dejan Jovanov – i njohur si Deko, Mihail, dhe një vajze të quajtur Bojana.
Mihail, telefonon Bojanën dhe e njofton se Oliver Spasovski (ministri i Punëve të Brendshme) është telefonuar në SVR Shtip për të ndërhyrë në favor të diskotekës. Me fjalët – “Oliver Spasovski është telefonuar në Shtip, në polici, për ne”. Në qendër të dyshimeve është një gjobë prej 40.000 euro që duhej të paguhej nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (UJP), për të cilën pretendohet se është ndërhyrë që të shmanget. Sipas deputetes, nga kjo bisedë del përfundimi logjik se pushteti i LSDM-së e ka mbrojtur me kujdes pronarin e “Pulse”, dhe në këtë kanë qenë të përfshirë edhe ministra.
Tani pritet që Prokuroria Publike të sqarojë nëse ky rast është hetuar, nëse është thirrur Spasovski për bisedë informative, dhe nëse ekziston vërtet një urdhër politik për të mbrojtur bizneset e lidhura me pushtetin.
Anida Murati /SHENJA/