(VIDEO) Analistët në Debat në SHENJA: Qytetarët e konsiderojnë të padrejtë vendimin e drejtësisë së Hagës

(VIDEO) Analistët në Debat në SHENJA: Qytetarët e konsiderojnë të padrejtë vendimin e drejtësisë së Hagës

 

Gjykata Speciale, vendimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së si dhe mundësia e shfuqizimit të saj përmes referendumit, këto ishin disa nga çështjet që ndezën debat në emisionin “Debat në Shenja”. Përballë zhvillimeve të fundit, diskutimi u fokusua edhe në mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate.

Ndërkaq i ftuar në studio, drejtuesi i OVL-UÇK-së në RMV, Besim Hoda, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së si një ditë zie për drejtësinë evropiane. Sipas tij, vendimi ishte i paralajmëruar, por mbetet shokues për shqiptarët.

BESIM HODA, DREJTUES I OVL-UÇK-SË NË RMV

Dje ishte ditë zie për drejtësinë evropiane. Dhe absolutisht jo ditë zie për shqipëtarët dhe absolutisht jo ditë zie për përfaqësuesit e UÇK-së të cilët denjësisht brenda këtyre 5 vjetëve janë mbrojtur me krenari, ashtu siç e pranuan të buzëqeshur aktvendimin. Ajo që ishte e dhimbshme, ishte që të gjykosh lajmëtarët e lirisë, në emër të popullit të Kosovës. Kjo është nënçmuese”.

Ndërkaq avokati Milazim Mustafa vlerëson se pavarësisht emocioneve pas dënimit të rëndë ekziston shpresë që Gjykata e Apelit të marrë një vendim tjetër. Sipas tij, në këtë rast ka argumente juridike dhe pretendime për lëshime procedurale, të cilat, siç tha, ekipet mbrojtëse të katër krerëve të UÇK-së mund t’i shfrytëzojnë gjatë procedurës së apelit.

Milazim Mustafa, Avokat

Ishte një proces shumë i ashpër ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Por ka shpresë që gjykata e apelit të sjellë një vendim tjetër, ka praktikë ku kanë ndodhur edhe kthesa të tilla, ka edhe argumente të forta juridike dhe lëshime procedurale, në të cilat janë përmendur edhe gjatë procedurave dhe besoj se ekipet e mbrojtësve juridik të 4 krerëve të UÇK-së do ti shfrytëzojnë të gjitha këto argumente”.

Analisti politik Xhelal Neziri tha se shumica e shqiptarëve kanë pritur që katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë të shpallen të pafajshëm, ndërsa vendimi i kundërt ka shkaktuar reagime të shumta. Neziri tha se pas vendimit vërehen edhe ndryshime në spektrin politik, duke theksuar se në Kosovë ka një unitet për t’iu përgjigjur kësaj sfide.

Xhelal Neziri, Analist

Pritshmëritë te shumica e shqiptarëve ka qenë se katërshja në Hagë do të shpallen të pafajshëm dhe pikërisht kjo befasi e cila erdhi nga Haga, normalisht që ka ngjallur reagimet e shqiptarëve. Ka një unitet në Kosovë, që t’i jepet një përgjigje adekuate kësaj sfide, në kuptimin që të mos dëmtohet Kosova, por edhe në mundësitë që katërshja të shpallet e lirë. Një zhbërje eventuale e Gjykatës Speciale nuk do t’i zhbënte vendimet e marra prej saj”.

Ndërkaq historiani dhe profesori universitar, Nuri Bexheti, ka shprehur rezerva ndaj vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ai nuk përputhet me realitetin në të cilin, sipas tij, kanë vepruar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Nuri Bexheti, Historian dhe Profesori Universitar

Unë e kontestoj se kam jetuar në atë realitet. Nuk përputhet askund me realitetin.Unë kam shpresë të jashtëzakonshme te apeli. Unë besoj në drejtësi, pavarësisht paraqitjes”.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka cilësuar si “të turpshëm” vendimin e djeshëm të Gjykatës Speciale, nga ku ai vlerëson se ky vendim duhet të ankimohet.

Enver Hoxhaj, Deputet i PDK-së

E kam pasur të pamundur t’i takoj, por isha në seancë, në galerinë e gjykatës dhe ndoqa nga afër një vendim që ishte një vendim i turpshëm. Mendoj se vendimi i djeshëm ishte i turpshëm dhe natyrisht se duhet të ankimohet. Kryetari i partisë është takuar me kryeministrin e Kosovës do të zhvillohen takime me subjektet e tjera politike, mendoj se duhet ta diskutojmë seriozisht vendimin që kuvendi i Kosovës ta zhbëjë këtë gjykatë, por krahas kësaj duhet të marrim edhe vendime të tjera”.

Ndërkaq, duke folur për qëllimin e Gjykatës Speciale, Hoxhaj ngriti pyetjen se cili ishte qëllimi i themelimit të saj. Ai beson se “kjo është pjesë e një lufte kundër Kosovës”, duke e lidhur themelimin e gjykatës me raportin e Dik Marty dhe duke e cilësuar vendimin e saj si “drakonik”.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING