(VIDEO) Ambasadorja Ageler: Ka disa lloje të listave të zeza amerikane

Ka disa lloje të listave të sanksioneve, nuk është vetëm një, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Angela Ageler, në lidhje me listën e zezë amerikane për personat e korruptuar në vend, në të cilën sipas njoftimeve, është e mundur të gjinden edhe zyrtarë aktualë. Në një intervistë për televizionin Tellma, Ageler për këtë çështje sqaron se bëhet fjalë për një bisedë afatgjatë dhe të vazhdueshme mes Ambasadës Amerikane në Shkup dhe Uashingtonit.

ANGELA AGELER, AMBASADORE E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

“Së pari, më lejoni t’ju them se nuk ka vetëm një listë. Çështja nuk është se SHBA do të publikojë një listë dhe do të thotë kaq, këta janë të gjithë emrat. Kjo është një bisedë e gjatë dhe e vazhdueshme midis Ambasadës së SHBA këtu, në Uashington dhe gjithë qeverisë në Uashington. Ekzistojnë disa lloje të listave të sanksioneve”.

Ageler theksoi se është me rëndësi kritike që të qetësohen bisedimet ndërmjet Maqedonisë sw Veriut dhe Bullgarisë dhe se liderët nga të dyja anët e kufirit mund të diskutojnë qetësisht dhe racionalisht. Ajo nuk mendon se përshkallëzimi i dialogut duhet të ndalojë apo vonojë përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

ANGELA AGELER, AMBASADORE E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

“Është me rëndësi kritike që ato biseda të qetësohen, që liderët në të dyja anët e kufirit të mund të diskutojnë me qetësi dhe racionalisht se cila është rruga përpara në lidhje me disa nga këto probleme që kemi parë midis individëve dhe komuniteteve të ndryshme. Është me rëndësi kritike. Por a duhet kjo të ndalojë apo edhe të vonojë përparimin drejt BE-së? Nuk mendoj se duhet”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Angela Ageler përshëndeti lëvizjen e ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, i cili shkoi në Sofje dhe bisedoi me Ministrinë e Punëve të Jashtme atje dhe liderë të tjerë se si të mbështesin komunitetet pakicë këtu në Maqedoninë e Veriut dhe se si të dy vendet mund të bëjnë përparim në tejkalimin e çdo presioni.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING