(VIDEO) Ambasada e Turqisë në Shkup organizon aktivitet me rastin e Ditës Botërore të Mëngjesit
Ambasada e Turqisë në Shkup, me rastin e “Ditës Botërore të Mëngjesit”, ka organizuar një takim mëngjesi. Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, si dhe mysafirë të tjerë morën pjesë në aktivitetin e mbajtur në rezidencën e ambasadës. Në fjalën e tij të rastit, ambasadori Ulusoy preku rëndësinë që i kushtojnë mëngjesit dhe rikujtoi se Turqia ka organizuar ngjarje në mbarë botën vitet e fundit për të promovuar shujtën e pasur të mëngjesit turk. Duke theksuar se Turqia është ndër vendet lidere në botë për sa i përket turizmit dhe se Maqedonia e Veriut është një nga vendet prioritare për Turqinë në fushën e turizmit për shkak të afërsisë gjeografike dhe kulturore, Ulusoy tha se Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar e kanë vizituar rreth 200 mijë turistë turq.
FATIH ULUSOY, AMBASADOR I TURQISË NË SHKUP
“Vitin e kaluar, afro 200 mijë turistë turq vizituan Maqedoninë e Veriut. Kjo do të thotë se afërsisht 20 për qind e turistëve që vizituan Maqedoninë e Veriut në vitin 2023 ishin turq. Në të njëjtën kohë, gati 250 mijë turistë nga Maqedonia e Veriut vizituan Turqinë vitin e kaluar. Shpresoj se ky numër do të vazhdojë të rritet me kontributet tuaja të çmuara”.
Ai po ashtu tha se Turqia është shndërruar së fundmi në një qendër globale për sa i përket turizmit shëndetësor. “Në vitin 2023, 1,5 milion pacientë nga e gjithë bota vizituan Turqinë për të marrë trajtim në degë të ndryshme të mjekësisë, duke forcuar pozicionin e Turqisë si destinacioni kryesor në trajtimin mjekësor”, theksoi ambasadori turk.
Në kuadër të aktivitetit u mbajt edhe një program për promovimin e turizmit. Në program, prezantime kishin drejtoresha e marketingut të produkteve të Agjencisë së Zhvillimit të Turizmit Ceylan Şensoy, përfaqësuesi i Turkish Airlines, Ersin Seyfula, përfaqësuesja e “Halk Sigorta”, Elena Kuzmanova dhe Menaxherja e Përgjithshme e Hotel Aliba në Edirne Esra Göktepe Lynch. /SHENJA/