(VIDEO) Aleanca në Qeveri, koalicioni qeveritar në diskutime për këmbimin e resorëve

(VIDEO) Aleanca në Qeveri, koalicioni qeveritar në diskutime për këmbimin e resorëve

Këshilli Ekzekutiv i LSDM-së njëzëri ka vendosur që të vazhdojnë bisedimet me Aleancën për Shqiptarët për hyrjen e kësaj partie në koalicionin qeveritar, njoftojnë nga LSDM. Bashkëpunimi me  ASH-në do të jetë vlerë e shtuar për qytetarët dhe shtetin, ka vlerësuar mbrëmë këshilli ekzekutiv i LSDM-së dhe partia njëzëri ka vendosur që bisedimet me ASH-në të vazhdojnë në bazë të parimeve politike dhe programore. Siç njoftoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, Këshilli Ekzekutiv caktoi një grup punues për bisedime të mëtutjeshme me ASH-në.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

 “Bashkëpunimi me Aleancën do të jetë një vlerë e shtuar për qytetarët dhe shtetin në zbatimin e agjendës evropiane. Në të njëjtën kohë, kjo paraqet një diferencim të qartë nga VMRO DPMNE dhe E Majta , dy partitë politike në Kuvend që janë kundër BE-së. Planet e Mickoskit për shumicë parlamentare, të cilat ai i shpalli në fillim të vitit, sërish dështuan”.

Në takim thuhet që u diskutua për politikat ekonomike të Qeverisë, kryesimi i OSBE-së, ecuria e procesit të skriningut me BE-në dhe mundësia e zgjerimit të shumicës, me hyrjen e ASH-së krahas partnerëve politikë ekzistues.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, tha se në takimin me kryeministrin rreth 90 për qind të programit e kanë dakorduar, ndërsa në ditët në vijim do të bisedojnë edhe për zgjidhjet kadrovike.

Njëkohësisht sonte kryesia e Alternativës pritet të pozicionohet dhe të dalë me propozimet e veta pas takimit të djeshëm të kryesisë mes kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari. Nënkryetari i Kuvendit Hysni Ismaili tha për “Slloboden Peçat” se në mbledhjen e rregullt partiake pret të diskutohet për fillimin zyrtar të negociatave ndërmjet Qeverisë dhe Aleancës. Në takim do të diskutohet edhe nëse do të zyrtarizohet si ofertë partiake, ideja e dalë nga Alternativa, që Gashi të ofrojë kompromis për Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të pakënaqësisë së Kovaçevskit me ministrin e Shëndetësisë Bekim Sali. Kompromisi do të ishte që Alternativa të mbante ministrinë, por të zëvendësonte Saliun dhe në vend të tij të ofronte nënkryetarin e Kuvendit dhe reumatologun Hysni Ismaili.

Nga VMRO-DPMNE vazhdimisht kanë kritikuar gatishmërinë dhe synimin e ASH-së për t’iu bashkuar shumicës parlamentare, duke kundërshtuar argumentimin dhe motivet e Taravarit për mbështetjen e procesit të ndryshimeve kushtetuese, duke qenë se nuk ka shumicë prej 80 deputetësh që do ta mbështesin atë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING