(VIDEO) Alarmi për bombë në Aeroport, arrestohet 26 vjeçari

(VIDEO) Alarmi për bombë në Aeroport, arrestohet 26 vjeçari

Ministria e Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj një 26 vjeçari nga Kisella Voda e Shkupit. Ai kishte raportuar rrejshëm se është vendosur bombë në një aeroplan në aeroportin e Shkupit më 16 gusht dhe për pasojë ishin anuluar disa fluturime.

Ministria e Punëve të Brendshme

“Pas marrjes së masave dhe aktiviteteve, u zbulua se më 16.08.2025 në orën 02.41 ai ka raportuar rrejshëm se në një aeroplan që duhej të nisej nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit për në Republikën e Turqisë ishte vendosur një bombë, pas së cilës aeroporti u mbyll për trafik për disa orë, ndërsa fluturimet e planifikuara u shtynë gjithashtu për disa orë, përkatësisht deri në përfundimin e kontrolleve antiterroriste”.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij më 20 gusht, me urdhër gjykate, ishin gjetur dhe sekuestruar sende që lidhen me këtë rast. Ndërsa pas intervistimit të tij në stacion policor, ai e kishte pranuar veprën e kryer penale.

Për këtë rast, ka hapur lëndë edhe prokuroria.

Prokuroria Themelore Publike

“I dyshuari, me veprimet e tij, krijoi ndjenjë frike dhe pasigurie tek pasagjerët dhe të tjerët e pranishëm në aeroport, dhe në të njëjtën kohë, duke aktivizuar protokollet e inspektimit antiterrorist, prishi trafikun e përgjithshëm ajror”.

Prokurori publik i propozoi gjykatësit të procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit, duke i sqaruar rrethanat që e arsyetojnë propozimin dhe duke treguar se në rastin konkret qëllimi i paraburgimit nuk mund të arrihet me asnjë masë tjetër për të siguruar praninë e të dyshuarit.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING