(VIDEO) Aktivistët kërkojnë që gjykata kushtetuese të mos e anulojë ligjin për vjetërimin e borxheve

(VIDEO) Aktivistët kërkojnë që gjykata kushtetuese të mos e anulojë ligjin për vjetërimin e borxheve

Mbi 240 mijë llogari transaksionare të qytetarëve, sipas të dhënave të shoqatave për të drejtat e punëtorëve, mbeten të bllokuara, derisa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila në muajin qershor, ngriti procedurë për vlerësimin e ndryshimeve të reja të ligjit për marrëdhnie obligative, përkatësisht ndryshimet ligjore me të parashihet që, borxhet të vjetërohen pas 10 viteve, në rast se brenda kësaj periudhe nuk është realizuar kërkesa për përmbarim. Deri në vendimin e ardhshëm të gjykatës, ky ligj mbetet i pezulluar. Ana Gligorova nga shoqata “Njeriu mbi fitimin”, u bëri thirrje gjykatësve kushtetues që të sjellin vendim në interes të qytetarëve, duke thënë se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, do të shpëtohen shumë njerëz. Ajo po ashtu, ngriti dyshime mbi Gjykatën Kushtetuese, se pse ndryshoi qëndrim brenga 6 muajve.

Ana Gligorova, No pasaran

Kush qëndron pas ndryshimit prej 180 shkallë të vendimit të gjykatësve kushtetues, a është dikush pas tyre. Me siguri nuk janë këto dy që kanë ngritur iniciativë, por me siguri është ndonjë fuqi, ndonjë fuqi e pushtetshme e cila për momentin është mbi Gjykatën Kushtetuese. Pyes veten dhe e pyes Gjykatën Kushtetuese nëse dikush e di se kush është ajo fuqi!?”

Ndërkaq, Marjan Risteski nga Konfederata e organizatave sindikale të Maqedonisë, tha se këtë çështje do të diskutojë edhe në sencën e radhës të këshillit social ekonomik të Qeverisë.

Marjan Risteski, KOSM

Nëse ky ligj anulohet do të fillojë përsëri plaçkitja e qytetarëve. Janë të kota zotimet e qeverisë për rritje në pensioneve, negociatat që zhvillojmë për rritjen e pagës minimale, pagave me buxhetin e ri, kur interes do të kenë vetëm avokatët, noterët, përmbaruesit, korporatat e mëdha, bankat. Duhet përfundimisht t’i jepet fundi kësaj”.

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese diskuton mbi këtë ligj. Më 10 janar të këtij viti, kur në krye të gjykatës ishte ende Dobrila Kacarska, gjykata vendosi që, të mos ngrit procedurë. Ndërkaq, në muajin qershor, pas zgjedhjes së kreut të ri të gjykatës, u soll vendim krejtësisht i kundërt. Arsyetimi i kushtetueses ishte se, me ndryshimet e reja, personat e caktuar juridikë dhe kreditorët do të vendosen në pozitë të pabarabartë dhe do të diskriminohen në raport me personat të tjerë juridikë dhe debitorët, të cilët në këtë rast do të jenë të privilegjuar.

Teuta Buçi /SHENJA/

 

MARKETING