(VIDEO) Ahmeti, Taravari, Gashi dhe Thaçi sonte darkojnë me Ramën

Liderët e partive politike të shqiptarëve në vend sot pritet të shkojnë në një takim në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Takimi do të fillojë në ora 19:00. Të gjitha partitë shqiptare e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, përveç Lëvizjes Besa, të cilët deklarojnë se nuk janë të gatshëm të ulen në një tryezë me Bashkimin Demokratik për Integrim.   “Takimi i sotëm në Tiranë është një takim i Vitit të Ri me qëllim të shkëmbimit të mendimeve për çështjet aktuale në rajon dhe duke uruar suksese në vitin në vazhdim dhe apeloi që të mos krijohet “një lloj konspiracioni” në lidhje me të”, deklaroi gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i BDI, Bujar Osmani.

Nga partia Alternativa kanë deklaruar se do shkojnë në Tiranë,  pasi sipas tyre, janë  të gatshëm të bisedojnë me të gjithë për çështjet shqiptare.

Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, madje të njëjtit takimet i kanë filluar nga Kosova, për të shkuar më pas në Tiranë.

Në të njejtët vijë qëndron edhe PDSH e Menduh i Thaçit, i cili gjithashtu ka konfimuar se do të jetë në Tiranë.

Ndërkaq, nga kampi i partive maqedonase këtë takim e kanë kundërshtuar partia opozitare VMRO-DPMNE. Ata theksojnë  se takimi në Tiranë i ftuar nga Edi Rama është për të shpëtuar karrierën politike të Kovaçevskit dhe Ahmetit, të mbështetur nga Apasiev i cili sipas tyre, luan rolin e një patrioti të rremë.

NAUM STOILKOVSKI-ZËDHËNËS I VMRO-DPMNE

Takimi në Tiranë është vetëm një përpjekje për të shpëtuar qeverinë në largim, një takim për të shpëtuar karrierën dhe biznesin e BDI-së dhe të atyre pak njerëzve rreth Dimitar Kovaçevskit! Dimitar Kovaçevski është shërbëtor i interesave të Ali Ahmetit. Karriera e Kovaçevskit konsiston në përmbushjen e dëshirave dhe kërkesave të Ali Ahmetit”.

Për takimin ka reaguar LSDM-ja. Zëdhënësi I partisë, Darko Kaevski tha se Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut  dhe i popullit maqedonas.

“Shqipëria është vend me të cilin së bashku ecim në rrugën evropiane dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Bashkë jemi edhe anëtarë të NATO-s dhe sigurish në planin ekonomik e kemi ngritur bashkëpunimin nëpërmjet iniciativës “Ballkani i hapur”. Çdo takim që është formal dhe joformal dhe që është në interes të dy popujve, në interes të dy shteteve për ne është në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”, tha Kaevski.

Përndryshe, Edi Rama organizoi një takim në të njëjtin format me Ali Ahmetin, Zijadin Selën dhe Bilal Kasamin më 29 dhjetor 2016 në Tiranë, i cili rezultoi me një Deklaratë të përbashkët të partive politike shqiptare për ruajtjen e interesave të shqiptarëve, ndërsa edhe athëher kishte reagime nga më ndryshmet nga VMRO-DPMNE.

Medina Ajeti /SHENJA/

MARKETING