(VIDEO) Ahmeti: Sot vendoset ardhmëria e shqiptarëve dhe rajonit

(VIDEO) Ahmeti: Sot vendoset ardhmëria e shqiptarëve dhe rajonit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se Kosova në fund të procesit të dialogut me Serbinë duhet të shkojë drejt njohjes ndërkombëtare dhe pranimit në OKB dhe të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare. Nga Ohri, ku po zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Ahmeti u shpreh optimist se sot mund të arrihet një marrëveshje mbi planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e mardhënieve Kosovë-Serbi si dhe aneksin për zbatimin e tij.

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË

“Si proces përfundimtar Kosova duhet të shkojë përpara drejt njohjes ndërkombëtare si shtet dhe avancimi i Kosovës dhe pranimi në gjitha insitucionet ndërkombëtare, në OKB dhe të vazhdojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO”.

 Ahmeti sot ka pasur takime me kryeministrin Albin Kurti, përfaqësuesin e BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Gabriel Eskobar.

Ai i bëri thirrje edhe Serbisë që të reflektojë pasi për tu anëtarësuar në BE, duhet t’i stabilizojë marrëdhëniet me Kosovën në të  gjitha fushat.

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË

“Edhe Serbia duhet të reflektojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. S’mundet të ketë një Serbi brenda Evropës pa i stabilizuar marrdhëniet me të gjitha fushat me Kosovën“.

Sot në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç  diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe zbatimin e tij. /SHENJA/ 

MARKETING