(VIDEO) Agjencia e Ushqimit mbyll 15 Fast Food-a pranë shkollave
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur 15 ndalime për ushtrimin e veprimtarisë ndaj operatorëve ushqimorë, si rezultat i 445 kontrolleve inspektuese të kryera gjatë dhjetë ditëve të fundit. Ndërkaq, janë sekuestruar dhe hedhur 696 kilogramë ushqime, për të cilat inspektorët kanë konstatuar se ishin të pasigurta dhe nga furnizues të panjohur.
Nga AUV thonë se gjatë këtyre kontrolleve fokusin e kanë vendosur në lokalet ushqimore që gjenden pranë shkollave fillore dhe të mesme.
AGJENCIA E USHQIMIT DHE VETERINARISË
“Gjatë kontrolleve është konstatuar se 19 operatorë kanë vënë në qarkullim ushqim të pasigurt, tek 30 prej tyre janë vërejtur kushte të pakënaqshme higjienike për sigurinë ushqimore, ndërsa nga numri i përgjithshëm i të kontrolluarve, 26 nuk kanë qenë të regjistruar si operatorë ushqimorë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë”.
Siç thonë nga Agjencia 16 objekte nuk kanë pasur procedura për praktikë të mirë higjienike dhe praktikë të mirë prodhuese, në 32 prej tyre të punësuarit nuk kishin kryer kontrollin e detyrueshëm sanitaro -shëndetësorë, tre lokale nuk kishin kryer dezinfektim, dhe shtatë objekte nuk i plotësonin kushtet teknike.
Për këto mangësi inspektorët kanë shqiptuar gjoba ndaj 77 operatorëve, në një shumë të përgjithshme prej 36.470 eurosh, Gjithashtu janë lëshuar dhe 103 vendime për objektet që t’i korrigjojnë parregullsitë e konstatuara, si dhe 23 vërejtje. /SHENJA/

