(VIDEO) Agjencia e Ushqimit gjobiti një mishtore, një supermarket dhe një restorant, kishin produkte të pa sigurta
Një supermarket dhe një mishtore në Shkup janë kapur duke shitur ushqime të pasigurta dhe janë sanksionuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Duke mos e treguar emrin e tyre Agjencia vetëm ka thënë se bëhet fjalë për një supermarket të njohur.
“Mishtorja është dënuar me gjobë prej 600 dhe 300 eurosh në këmbim të denarit, ndërsa supermarketi është gjobitur me 1000 euro për personin juridik dhe 400 euro për personin përgjegjës për shitjen e ushqimeve të pasigurta, gjegjësisht pa dhe me etiketa të palexueshme dhe për moskryerjen e testeve të detyrueshme laboratorike”, thonë nga Agjencia E Ushqimit dhe Veterinarisë.
Përmes një aksioni të përbashkët të Agjencionit me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës, gjatë ditës së premte është gjobitur një restorant në Manastir për shitjen e mishit të padeklaruar.
“Për shkak të shitjes së mishit të padeklaruar të llojeve dhe kategorive të ndryshme, vendosjes së ushqimeve të pamarkuara dhe shitjes së ushqimeve të skaduara, ndaj një restoranti në këtë qytet është shqiptuar sanksion kundërvajtës dhe është dhënë vendim për heqjen e mospërputhjeve të konstatuara”, shtojnë nga Agjencia E Ushqimit dhe Veterinarisë.
Të hënën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se kishte shqiptuar gjoba për disa operatorë të ushqimit në Shkup dhe Ohër, të cilët shisnin ushqime të pasigurta.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/