(VIDEO) Ademi takon krerët e OEMVP-së, bashkëpunimi private-publik i nevojshëm

Me vizitën e Visar Ademit, kandidat i pavarur për Komunën e Gostivarit është përmbyllur cikli i vizitave që Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore kishte me kandidatët për kryetar komunash dhe me partitë politike. Ademi tha se është shumë i rëndësishëm funksionimi i trekëndëshit qytetar – komunë – sektori privat, sepse sipas tij, nga ky trekëndësh varet mirëqenia e qytetarëve.
Sipas Ademit, bashkëpunimi me OEMVP-në do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për komunën e Gostivarit, komunë kjo e zhytur në borxhe të thella.
VISAR ADEMI, KANDIDAT I PAVARUR PËR KOMUNËN E GOSTIVARIT
“Për një komunë të Gostivarit që ka 35 milion euro borxh, na duhet ndihma edhe e kapitalit të freskët, nëpërmjet partneritetit privato-publik, po edhe dijes që e kanë këto njerëz, që i kanë bërë përmes bizneseve të tyre, meqëllim që të mund të dalin në fund të sukseshëm”.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perendimore, Nuhi Aliu tha se kanë rënë dakord që pas 19 tetorit, në rast se Ademi fiton në komunën e Gostivarit të hapet një zyrë në të cilën bizneset do të dorëzojnë projektet që do të jenë në të mirë të komunitetit. Ai deklaroi se, me Ademin kanë rënë dakord që në të ardhmen, Komuna e Gostivarit të jetë e hapur për bashkëpunim privato-publik.
NUHI ALIU – KRYETAR I OEMVP-SË
“Ne si biznese të japim projekte tona, kurse ata që do të jenë si përfaqësues të komunës në atë zyre ti analizojnë dhe shiqojnë projektet tona dhe në fund të bijem vendim për bashkëpunim eventual. Kjo ishte pika më e rëndësishme”.
Ndryshe, takim me udhëheqësinë e OEMVP-së, javën e fundit, në prag të zgjedhjeve lokale kanë pasur, VMRO-DPMNE, LSDM, VLEN, AKI, Mendi Qyra.
Në këto takime është biseduar për prioritetet dhe kërkesat e Odës Ekonomike. Kërkesa kryesore është rregullimi i infrastrukturës rrugore në zonën e Vizbegut dhe zhvillimin e zonës ekonimike të Sarajit.
Mevludin Imeri /SHENJA/