(VIDEO) 675 produkte do të shiten më lirë gjatë 30 ditëve
Mbi 600 produtke ushqimore do të shiten me çmime të ulura nga data 15 dhjetor deri më 15 janar, në kuadër të “shportës së vitit të ri” njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski në preskonferencën e përbashkët me ministrin e ekonomisë dhe punës Besar Durmishi. Mickoski sqaroi se lista e produkteve ushqimore është dakorduar së bashku me odat ekonomike, sindikatat, prodhuesit, distributorët dhe tregtarët. Ai tha se kjo nuk është masë e qeverisë si marzhat apo kufizimi i çmimeve por është një iniciativë nga vetë sektori tregtar.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Në praninë e prodhuesve dhe distributorëve, përsëri prodhuesit dhe distributorët ishin në të njëjtin vend, ne bëmë diçka që ndoshta nuk është bërë kurrë më parë, e ajo është që të gjithë biseduam së bashku për një kohë dhe gjatë atyre bisedimeve arritëm një kompromis në të cilin të gjitha palët ranë dakord që në periudhën nga 15 dhjetori deri më 15 janar, çmimet e produkteve të caktuara, që janë më shumë se 600 artikuj, do të ulen dhe do t’u vendosen etiketa ‘Më pak shpenzime, më shumë për ty – Kujdesemi’.
Ministri i ekonomisë Besar Durmishi tha se “shporta e vitit të ri” do ti përfshijë produktet bazë ushqimore si buka, mishi, produkte të mishit, qumështi, produkte të qumështit, pije etj.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Me këtë ulje çmimesh janë përfshirë produktet bazë ushqimore nga grupe të ndryshme edhe atë: bukë dhe drithëra, produkte fure, mish dhe produkte të mishit, peshk, qumësht dhe produkte të qumështit, ëmbëlsira, fruta dhe perime të freskëta, të ngrira, të konzervuara, pije joalkoolike dhe pije alkoolike. Këto grupe janë përmbushur në një listë të përbashkët që përfshin mbi 675 produkte të ofruara nga gjithsej 60 kompani vendore përfshirë prodhues dhe distributor”.
Kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur lidhur me manipulimet që mund ti bëjnë tregtarët tha se inspektorati shtetëror i tregut do të bëjë një analizë të detajuar lidhur me çmimet e këtyre produkteve ushqimore, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe pasi të filloj zbatimi i së njejtës dhe në rast të ndonjë keqpërdorimi apo manipulimi nga ana e tregtarëve, qeveria do të mer masa të tjera.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/