(VIDEO) 240 hoxhallarë shqiptarë apel kundër gjenocidit në Gaza

Mbi 240 hoxhallarë shqiptarë kanë nënshkruar një apel publik “kundër gjenocidit në Gaza”, duke dënuar me forcë krimet ndaj civilëve palestinezë dhe duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të luftës, hyrjen pa pengesa të ndihmave humanitare dhe mbajtjen përgjegjës të kriminelëve.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se Gaza është kthyer në një “plojë gjaku njerëzor”, ku mbi 62,000 civilë janë vrarë, shumica gra e fëmijë, ndërkohë që bota hesht. Hoxhallarët theksojnë se “heshtja është bashkëfajësi”, dhe nxisin opinionin publik shqiptar të reagojë ndaj kësaj masakre.
Hoxhallarë shqiptarë
“Ky është një krim historik, një gjenocid i hapur, një padrejtësi që nuk mund të justifikohet me asnjë argument politik, ushtarak apo fetar. Kriminelët duhet të ndalen menjëherë, lufta të marrë fund, ndihmat humanitare të hyjnë lirshëm në të gjithë territorin, tokat e pushtuara të lirohen dhe kriminelët të dalin përpara drejtësisë.Çdo gjak i derdhur është dëshmi që rëndon mbi vrasësit dhe mbi ata që i mbështesin. Qeverive, institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave humanitare u kërkojmë të marrin përgjegjësitë e tyre morale, politike dhe ligjore për të ndalur këtë masakër gjenocidale”.
Tutje ata shtuan se ky apel është një thirrje humane dhe një detyrë njerëzore e fetare, nga ku shtojnë që historia do të gjykojë rëndë ata që heshtën, ata që u treguan indiferentë dhe ata që zgjodhën të mbyllin sytë para kësaj. Duke qenë të vetëdijshëm për mundësitë dhe kapacitetet tona si shqiptarë, ata kërkojnë që drejtuesit tanë politikë dhe fetarë, dhe jo vetëm, të qëndrojnë në anën e duhur të historisë, që është ana e së drejtës, humanizmit dhe së vërtetës. Siç thonë ata, Gaza sot është kauza e njerëzimit, kauza e drejtësisë dhe e ndërgjegjes universale, ndaj dhe ata ngrenë apel me besimin se fjala e së vërtetës nuk shuhet kurrë.
Anida Murati /SHENJA/