(VIDEO) 12 nga të lënduarit ende po marrin trajtim spitalor

Po bëhen gati 2 muaj nga tragjedia e kobshme që ndodhi në Koçan, ku jetën e humbën 62 persona, kryesisht të rinj, ndërsa afro 200 persona të tjerë u lënduan. Disa prej tyre, ende po ballafaqohen me lëndimet e marra nga zjarri i tmerrshëm që kaploi diskotekën “Puls”. Sot, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, në tribunën “Koçani është prioriteti ynë”, e cila u mbajt në Qeveri dhe ishte e dedikuar për tragjedinë në Koçan, informoi se 12 nga të lënduarit ende po marrin trajtim spitalor.
MARKETING
SASHO KLEKOVSKI, DREJTOR I FONDIT TË SIGURIMEVE SHËNDETËSORE
“Kemi 38 të lënduar që marrin fasha dhe trajtime të ngjashme, katër në ‘8 Shtator’, 26 janë në ‘Shën Naum i Ohrit’. Pesë janë në Koçan dhe tre janë në Sistina. 46 persona po i nënshtrohen terapisë fizike, të gjithë janë në Koçan, është e mundur që një person të jetë në ‘8 Shtator’. Trajtimi me PRT (plazmë me ose pa trombocite) po kryhet tek 16 të lënduar dhe është një trajtim superior për zvogëlimin e shenjave nga djegiet”.
Ndërkaq, Drejtori i Shërbimeve për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski, foli për aktivitetet e realizuara në pjesën e logjistikës, veçanërisht në aspektin e mbështetjes së familjeve që udhëtuan së bashku me të lënduarit që u trajtuan jashtë vendit.
IVICA TOMOVSKI, DREJTOR I SHËRBIMIVE PËR PUNË TË PËRGJITSHME DHE TË PËRBASHKËTA
“Atë ditë fatkeqe, në takimin koordinues për kriza, Qeveria e ngarkoi Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të jetë logjistikë dhe mbështetje për njerëzit që do të trajtohen jashtë Maqedonisë. Këtu do të doja të shpreh një falënderim të madh për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat ishin mbështetje logjistike në terren, veçanërisht jashtë vendit, si dhe për të gjithë ambasadorët që ishin mbështetja jonë dhe mbështetje për pacientët”.
Ai deklaroi se menjëherë u publikua numri i telefonit, i cili edhe sot është në dispozicion për të gjithë personat që u prekën nga kjo fatkeqësi. Tomovski informoi se nga rezervat e Buxhetit të shtetit janë ndarë 30 milionë denarë për të ofruar ndihmë për transportin dhe akomodimin e personave shoqërues të këtyre pacientëve dhe se deri në këtë moment janë shpenzuar 21 milionë denarë nga paratë shtetërore.
Samir Mustafa /SHENJA/