Vazhdojnë bisedimet Iran-SHBA me ndërmjetësimin e Pakistanit

Vazhdojnë bisedimet Iran-SHBA me ndërmjetësimin e Pakistanit

Shkëmbimet e mesazheve midis Iranit dhe SHBA-së përmes ndërmjetësimit të Pakistanit akoma vazhdojnë, teksa përpjekjet për të arritur një marrëveshje kornizë po vazhdojnë, megjithëse disa mospajtime mbeten ende të pazgjidhura, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane ISNA, ministri pakistanez i Punëve të Brendshme, Mohsin Naqvi, i cili udhëtoi për herë të dytë këtë javë në Teheran, u dorëzoi zyrtarëve iranianë një mesazh nga pala amerikane.

Raporti tha se Naqvi zhvilloi takime me disa zyrtarë iranianë, përfshirë presidentin Masoud Pezeshkian, ministrin e Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Eskandar Momeni.

ISNA gjithashtu raportoi se Naqvi do të qëndrojë në Teheran edhe sot për të vazhduar konsultimet dhe për të zhvilluar takime shtesë me zyrtarët iranianë.

Sipas një propozimi iranian prej 14 pikash, të raportuar më parë nga Anadolu, Teherani kërkon negociata të ndara për programin bërthamor, përfshirë çështjet e uraniumit të pasuruar, brenda 30 ditëve pas arritjes së një armëpushimi të përhershëm.

Megjithatë, Washingtoni dëshiron që çështja e programit bërthamor të “diskutohet dhe zgjidhet” para çdo marrëveshjeje për armëpushim të përhershëm.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit në shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit, si dhe ndaj aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, përfshirë edhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të sigurojnë një marrëveshje afatgjatë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më vonë e zgjati armëpushimin pa afat, ndërsa mbajti bllokadën ndaj anijeve që udhëtojnë drejt ose nga portet iraniane përmes kësaj rruge strategjike ujore.

MARKETING