Usyk e nokauton Duboisin dhe rikonfirmohet kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda

Oleksandr Usyk është rikonfirmuar si kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks, pas triumfit ndaj boksierit londinez Daniel Dubois.
Raundin e parë Usyk e nisi më mirë me një goditje të saktë, ndërsa Dubois synoi trupin e ukrainasit, por pati vështirësi të godasë. Në fund realizoi një kombinim të mirë, por Usyk u kundërpërgjigj menjëherë.
Raundi i dytë ishte i balancuar, me të dy boksierët që shkëmbyen goditje të forta. Dubois befasoi me dy goditje të fuqishme, por Usyk reagoi duke e lëkundur britanikun në sekondat e fundit.
Në raundin e tretë Dubois ishte tejet agresiv, por Usyk e kontrolloi me mjeshtëri me lëvizje të shkëlqyera duke i dhënë një goditje të fortë me të majtën.
Në raundin e katërt Usyk shmangu me lehtësi një goditje të fuqishme nga Dubois dhe kontrolloi ritmin me kundërsulme të mençura, ndërsa britaniku dominoi qendrën, por pa efikasitet në goditje.
Ishte raundi i pestë ai që bëri dallimin në këtë meç me Usyk që dha disa goditje të njëpasnjëshme tejet të fuqishme, për ta rrëzuar Dubois në ring.