Ushtria izraelite bastis Spitalin Kamal Adwan në Gaza, merr në pyetje drejtorin

Ushtria izraelite bastis Spitalin Kamal Adwan në Gaza, merr në pyetje drejtorin

Ushtria izraelite bastisi Spitalin Kamal Adwan në veri të Gazës, duke ndaluar drejtorin e spitalit për ta marrë në pyetje, raporton Anadolu.

“Forcat izraelite bastisën Spitalin Kamal Adwan, në Gazën veriore dhe urdhëruan drejtorin Hussam Abu Safiya të shkonte në oborrin e spitalit për të takuar komandantin e forcës pushtuese (izraelite) për t’u marrë në pyetje”, tha për Anadolu Maher Shamiyeh, ndihmës nënsekretari në Ministrinë e shëndetësisë në Gaza.

Shamiyeh tha se ushtria izraelite po mban të gjithë pacientët dhe stafin mjekësor brenda një dhome në spital, pa asnjë informacion për fatin e tyre.

Ushtria izraelite ndaloi dhjetëra palestinezë të evakuuar nga spitali, duke i detyruar ata të zhvishen deri në të mbrendshmet e tyre dhe të mblidhen në një zonë të hapur në mot të ftohtë.

Shamiyeh u kërkoi organizatave ndërkombëtare dhe OKB-së “të ndërhyjnë menjëherë për të mbrojtur personelin shëndetësor dhe pacientët dhe të bëjnë presion mbi ushtrinë izraelite që të tërhiqet nga spitalet në Gazën veriore”.

Më herët, Ministria e Shëndetësisë tha se humbi kontaktin me stafin shëndetësor në Spitalin Kamal Adwan pas bastisjes së ushtrisë izraelite.

Në një deklaratë më herët, ushtria izraelite pretendoi se forcat e saj “po operojnë në zonën e spitalit Kamal Adwan në Jabalia, bazuar në informacionin e inteligjencës në lidhje me praninë e terroristëve dhe infrastrukturës terroriste në zonë”.

Izraeli ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga një sulm në tetor të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze, Hamasi, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 42.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe mbi 100.500 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Sulmet izraelite në Gaza kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.

MARKETING