Ushtarët izra’elitë pranuan se vra’në edhe fëmijët që iu afruan korridorit Netzarim në Gaza
Ushtarët izraelitë në korridorin Netzarim, i cili ndan Rripin e Gazës në dysh, pranuan se të gjithë në rajon janë në shënjestër dhe se çdo palestinez që vritet, edhe nëse është fëmijë, regjistrohet si “terrorist”, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite zhvendosi me forcë të gjithë palestinezët që jetonin pranë korridorit Netzarim 7 kilometra të gjerë, i cili ndërpret lidhjen midis veriut dhe jugut të Gazës dhe shtrihet nga kufiri izraelit deri në bregdetin e Mesdheut. Izraeli shkatërroi shtëpitë e banorëve në korridorin që krijoi pas 7 tetorit 2023, për të ndërtuar rrugë dhe pozicione ushtarake.
Sipas gazetës “Haaretz”, megjithëse niveli komandues i ushtrisë izraelite mohoi ekzistencën e “zonës së vdekjes” të krijuar në korridorin Netzarim, deklaratat e ushtarëve izraelitë zbuluan se çdo palestinez që i afrohej zonës “konsiderohet terrorist” dhe vritet.
Duke folur për “Haaretz”, një komandant në Divizionin 252 të ushtrisë izraelite tha: “Forcat në terren e quajnë këtë vend “vija mortore”. Një oficer i lartë izraelit që shërben në të njëjtin divizion tha: “Komandanti i divizionit e ka caktuar këtë zonë si “Zonë vdekjeje. Kushdo që hyn vritet”.
Një tjetër oficer i Divizionit 252, i cili u shkarkua së fundmi nga ushtria izraelite, tha se “zona e vdekjes” në korridorin Netzarim shtrihet deri në atë vend ku snajperi mund të qëllojë. “Ne vrasim civilë atje dhe ata llogariten si terroristë”, tha oficeri izraelit.
Një komandant i lartë rezervë i cili kohët e fundit u kthye nga korridori Netzarim tha se të quash ushtrinë izraelite “ushtria më morale në botë” nuk është gjë tjetër veçse të shfajësosh ushtarët izraelitë në Gaza, të cilët “e dinë saktësisht se çfarë po bëjnë”.
– “Kushdo që hyn në korridorin e Netzarimit, qëllohet në kokë”.
Një ushtar që shërbente në divizionin 252 tha: “Urdhri ishte i qartë. Kushdo që kalon urën dhe hyn në korridorin (Netzarim) qëllohet në kokë”.
Sipas tij, ushtarët hapën zjarr të fortë sikur të ishte një sulm i madh kur vunë re se një person po afrohej nga jugu. “Ne vazhduam të qëllonim mbi trupin për rreth një ose dy minuta. Njerëzit përreth meje po qëllonin dhe qeshnin”, tha ushtari.
Ushtari tha se personi që vranë ishte një djalë 16-vjeçar dhe më vonë u mësua se ky person nuk ishte anëtar i Hamasit, por thjesht një civil. Një oficer në Divizionin 252 tha se ushtria izraelite “njoftoi vrasjen e më shumë se 200 anëtarëve të Hamasit, por vetëm 10 u konfirmuan se ishin anëtarë të Hamasit”.
Një ushtar në Divizionin 99 tha se një i rritur me dy fëmijë dyshohet se kaloi “vijën e ndaluar” dhe një helikopter luftarak i sulmoi me raketë, edhe pse ata ishin të paarmatosur. Ushtari tha: “Kush mendon se është e ligjshme të gjuash raketa ndaj fëmijëve? Dhe me helikopter? Kjo është e keqe e pastër”.
– Ushtria izraelite po vepron jashtë “protokolleve standarde ushtarake” në Gaza
Në lajmin e gazetës “Haaretz” theksohet se dëshmitë e ushtarëve izraelitë zbuluan se komandantëve të ushtrisë iu dhanë “kompetenca të paprecedentë”.
Gjithashtu thuhet se disa burime thanë se njësitë në ushtrinë izraelite vepronin si “milici të pavarura që nuk kufizoheshin nga protokollet standarde ushtarake”.
Duke folur për “Haaretz”, një oficer i lartë nga Divizioni 252 tha: “Komandantët e divizionit tani kanë fuqi pothuajse të pakufizuar të zjarrit në zonat e konfliktit. Një komandant batalioni mund të urdhërojë një sulm me mjete ajrore pa pilot”.