Ursula von der Leyen: 6 miliardë eurot e Planit të Rritjes mund të fillojnë të rrjedhin para fundvitit

Ursula von der Leyen: 6 miliardë eurot e Planit të Rritjes mund të fillojnë të rrjedhin para fundvitit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka thënë se pesë nga gjashtë agjendat e reformave do të miratohen këtë javë dhe kjo do të thotë se pagesat prej 6 miliardë eurosh nga Plani i Rritjes mund të fillojnë të rrjedhin para fundit të këtij viti [2024].

“Kjo nuk mund të bëhej pa Procesin e Berlinit”- tha von der Leyen në konferencë për media pas Samitit të Berlinit, më 14.10.2024

Von der Leyen tha se kur shohin nga e ardhmja i shohin të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor pjesë të Bashkimit Europian.

“E mirëpres heqjen e kufizimit të eksportit të mallrave nga Serbia në Kosovë. I përgëzoj të dyja palët për shfaqjen e vullnetit politik”- tha ajo.

Ursula von der Leyen tha se mirëpret nënshkrimin e Planit Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.

“Sa më mirë të funksionojë tregu i përbashkët rajonal, aq më mirë ekonomia e Ballkanit Perëndimor mund të integrohet hap pas hapi në tregun tonë të përbashkët europian”- shtoi ajo.

Sipas saj, ekzistonte nevoja për një urë lidhëse midis tregjeve të përbashkëta rajonale dhe tregut europian.

“Kjo urë është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me 6 miliardë investime”- shtoi ajo.

Vendet e Bashkimi Europian i kanë miratuar më 11.10.2024 agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh.

Komisioni i IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) i BE-së dha pëlqimin për agjendat e reformave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Serbisë.

I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi që dokumenti që ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Europian.

MARKETING