UNRWA: Mbi 90 mijë të zhvendosur në Gaza strehohen në 115 objekte të drejtuara nga OKB-ja

UNRWA: Mbi 90 mijë të zhvendosur në Gaza strehohen në 115 objekte të drejtuara nga OKB-ja

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka bërë të ditur se më shumë se 90 mijë palestinezë të zhvendosur aktualisht po strehohen në 115 objekte të drejtuara nga OKB-ja në të gjithë Rripin e Gazës në mes të një krize humanitare të shkaktuar nga sulmet 19-mujore të Izraelit në enklavë, transmeton Anadolu.

UNRWA theksoi se situata tashmë e rëndë në Gaza po përkeqësohet për shkak të bombardimeve dhe rrethimit që bllokon hyrjen e furnizimeve humanitare dhe tregtare në enklavë.

Që nga 2 marsi i vitit 2025, Izraeli ka mbajtur të mbyllura të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke bllokuar hyrjen e ushqimeve thelbësore, mjekësore dhe ndihmave, sipas raporteve të shumta nga organizatat ndërkombëtare dhe grupet e të drejtave, duke përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare.

Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerësoi se rreth 420 mijë njerëz janë zhvendosur sërish që nga thyerja e armëpushimit nga Izraeli në muajin mars.

Më 18 mars, ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore ndaj Gazës, vetëm që atëherë duke vrarë 1.827 njerëz dhe duke plagosur 4.828 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në muajin janar.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, të paktën 51.201 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

MARKETING