UNRWA: Gjysmë milioni të zhvendosur në Gaza nën urdhrat izraelite

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) njoftoi sot se gjatë muajit të kaluar rreth 500 mijë palestinezë në Rripin e Gazës janë zhvendosur me forcë për shkak të sulmeve izraelite, transmeton Anadolu.
“Gjatë muajit të kaluar në Gaza, rreth gjysmë milioni njerëz janë zhvendosur”, tha UNRWA në një deklaratë.
Agjencia tha se “Urdhrat e shumtë të zhvendosjes të lëshuar nga ushtria izraelite i lanë palestinezët me më pak se një të tretën e zonës së Gazës për të jetuar” dhe se “hapësira e mbetur është e fragmentuar, e pasigurt dhe mezi e jetueshme”.
UNRWA theksoi se ““strehimoret e mbipopulluara janë në një gjendje të tmerrshme, ofruesit e shërbimeve po përpiqen të funksionojnë dhe po shterohen burimet e fundit”.
Gati 51.400 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në Rripin e Gazës.