Ulet numri i kontrolleve në Gostivar, përforcohen masat kundër etheve të Nilit Perëndimor
Ministria e Shëndetësisë informon opinionin se situata epidemiologjike në Gostivar shënon përmirësim të dukshëm dhe rënie të vazhdueshme të numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Gjatë ditës së djeshme, në Spitalin e Përgjithshëm dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë realizuar gjithsej 36 kontrolle, përkatësisht 37 më pak krahasuar me ditën paraprake, kur ishin regjistruar 73 kontrolle. Aktualisht, në spital janë të hospitalizuar katër pacientë.
Që nga fillimi i monitorimit, në të dy institucionet shëndetësore janë kryer gjithsej 4.483 kontrolle të para. Deri te institucionet kompetente janë dorëzuar 1.014 raportime zyrtare për sëmundje ngjitëse, ndërsa janë përpunuar 706 anketa të reja epidemiologjike, duke arritur mbulim prej 70 për qind.
“Institucionet kompetente shëndetësore vazhdojnë me mbikëqyrjen e përforcuar epidemiologjike, grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave, anketimin e pacientëve dhe zbatimin e koordinuar të të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e popullatës. Ulja e numrit të kontrolleve është tregues inkurajues, por situata vazhdon të monitorohet me kujdes”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, deri më 30 korrik 2026, në vend janë konfirmuar gjithsej 13 raste me ethet e Nilit Perëndimor. Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile janë të hospitalizuar 10 pacientë me infeksion të konfirmuar, prej të cilëve tre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për shkak të situatës aktuale epidemiologjike dhe në bazë të vlerësimit profesional të rrezikut, Ministria e Shëndetësisë e ngarkoi Qendrën e Shëndetit Publik – Shkup që të realizojë dezinsektim shtesë terestrik, përkatësisht dezinsektim adulticid nga toka kundër mushkonjave. Trajtimi i jashtëzakonshëm u realizua gjatë natës, si masë parandaluese shtesë për zvogëlimin e rrezikut nga përhapja e infeksionit.
Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, qendrat e shëndetit publik dhe institucionet shëndetësore mbeten në koordinim të vazhdueshëm dhe do ta informojnë opinionin në kohë për të gjitha informacionet e reja dhe aktivitetet e ndërmarra.

