Ukraina hedh poshtë akuzat e Malit dhe Nigerit për mbështetjen e grupeve të armatosura në Sahel
Ukraina ka hedhur poshtë akuzat e Malit dhe Nigerit se mbështet grupet e armatosura të paligjshme dhe ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të Sahelit, duke i cilësuar ato si “të pabazuara”, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës tha se narrativat e drejtuara kundër Ukrainës pasqyrojnë elementet kryesore të “propagandës ruse”, që synon minimin e besimit ndaj Kievit dhe dobësimin e lidhjeve të tij me partnerët afrikanë.
Kievi ritheksoi respektimin e sovranitetit të dy vendeve, të drejtën e popujve të tyre për të përcaktuar të ardhmen e tyre dhe përpjekjet e tyre për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Ministria ukrainase tha se akuzat ishin ngritur periodikisht në vitet e mëparshme dhe së fundmi janë rishfaqur, përfshirë gjatë segmentit të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2026.
“Paralajmërojmë kundër dezinformatave të mëtejshme lidhur me këtë çështje dhe theksojmë se, që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve me Ukrainën, nuk është paraqitur asnjë provë e besueshme për të mbështetur këto akuza”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu shtohet se sfidat e sigurisë në Sahel duhet të vlerësohen në bazë të fakteve dhe jo të akuzave të motivuara politikisht, ndërsa komuniteti ndërkombëtar u bëhet thirrje të reagojë ndaj raportimeve për strukturat ushtarake ruse që veprojnë në rajon, përfshirë rolin e tyre të pretenduar në destabilizim dhe shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut.
Ministria tha se Ukraina nuk ka pasur të kaluar koloniale në Afrikë dhe se i ka ndërtuar marrëdhëniet me vendet afrikane mbi parimet e barazisë, respektit të ndërsjellë dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme.
Nga atje theksuan se Ukraina mbetet e hapur për “dialog të sinqertë dhe përmbajtësor” me Malin, Nigerin dhe vendet e tjera të Sahelit dhe se është e gatshme të diskutojë shqetësimet konkrete mbi bazën e fakteve, respektit të ndërsjellë dhe të drejtës ndërkombëtare.

