Ujë, ushqime, ilaçe dhe…/ Kuba përgatitet për gjithçka, ndan udhëzuesin e mbrojtjes për qytetarët në rast sulmi nga SHBA-të
Kuba ka publikuar një udhëzues për “mbrojtjen nga agresioni ushtarak”, në një kohë kur tensionet me SHBA vijojnë të rriten.
Dokumenti është shpërndarë nga agjencia kubane e mbrojtjes civile përmes faqeve zyrtare të provincave dhe përmban udhëzime praktike për qytetarët në rast të sulmeve të mundshme ushtarake.
Publikimi vjen mes përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa SHBA-ja ka vendosur prej muajsh embargo energjetike ndaj ishullit komunist, duke argumentuar se Kuba përbën “kërcënim të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare amerikane.
Sipas raportimeve, drejtori i CIA, John Ratcliffe, zhvilloi një vizitë urgjente në Havanë për takime me zyrtarë të lartë kubanë, pas muajsh negociatash të tensionuara mes palëve.
Udhëzuesi, i titulluar “Mbroni, rezistoni, mbijetoni dhe fitoni”, u drejtohet të gjitha familjeve kubane dhe përfshin rekomandime që nga përgatitja e një çante emergjence me ujë, ushqime, ilaçe dhe produkte higjienike, deri te mënyrat e reagimit ndaj alarmeve për sulme ajrore.
Dokumenti u bën thirrje qytetarëve të mësojnë ndihmën e parë dhe të ndjekin informacionet e shpërndara nga këshillat lokale të mbrojtjes civile.

