U ble për 20 milionë euro, Reijnders tani vlen trefish. Milani synon “ta blindojë” yllin e mesfushës së vet

U ble për 20 milionë euro, Reijnders tani vlen trefish. Milani synon “ta blindojë” yllin e mesfushës së vet

Tijani Reijnders ishte më i miri në fushë në ndeshjen që e pa Milanin të triumfonte në “Bernabeu”, kundër Real Madridit. Mesfushori holandez po bëhet gjithnjë e më shumë lider i mesfushës kuqezi dhe disa klube europiane, veçanërisht Manchester City e Barcelona, tashmë kanë kërkuar të kuptojnë se cila mund të jetë vlera e tij në treg sot.

I lindur më 1998, ish-lojtari i AZ Alkmaar u transferua te Milani në verën e vitit 2023 për 20 milionë euro. Aktualisht, shkruan “Gazzetta dello Sport”, vlera e tij është trefishuar, duke shkuar në rreth 60 milionë euro. Vullneti i klubit milanez nuk është ta shesë tek ofertuesi më i lartë, por ta “blindojë” me një kontratë të re.

Reijnders aktualisht ka një kontratë me pagë 1.6 milionë euro neto në sezon, e vlefshme deri më 30 qershor 2028.

Për ta mbrojtur atë, Milani synon tia rrisë pagën sa të emrave të tjerë të mëdhenj në skuadër, pra më shumë se dyfishi i asaj që merr aktualisht.

Jo vetëm kaq; synimi i klubit kuqezi është që holandezi të nënshkruajë kontratë dy vite më të gjatë se ajo aktuale, pra deri në qershor 2030. Kontaktet janë në vazhdim dhe ka besim për mundësinë e mbylljes së marrëveshjes brenda një afati të arsyeshëm kohor.

MARKETING