Turqia ndalon tregtinë me Izraelin për shkak luftës në Gaza

Turqia ndalon tregtinë me Izraelin për shkak luftës në Gaza

Turqia ka pezulluar të gjitha importet dhe eksportet me Izraelin për shkak të veprimeve ushtarake në Gazë, duke u zotuar se ky vendim do të jetë në fuqi derisa Qeveria izraelite të lejojë dërgimin e ndihmës humanitare në rajon.
Përmes një deklarate, Ministria turke e Tregtisë tha më 2 maj se “transaksionet e eksporteve dhe importeve në raport me Izraelin janë ndaluar dhe ndalesa përfshin të gjitha produktet”.

Zyrtarët në Turqi do të koordinohen me Autoritetin Palestinez për t’u siguruar që palestinezët të mos preken nga pezullimi i importeve dhe eksporteve, tha Ministria turke e Tregtisë.

Ministria e Tregtisë e përshkroi këtë hap si “fazën e dytë” të masave kundër Izraelit, duke shtuar se ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli “të lejojë dërgimin e papenguar dhe të mjaftueshëm të ndihmës humanitare në Gazë”.

Muajin e kaluar, Turqia – një kritike e ashpër e veprimeve ushtarake të Izraelit – njoftoi për kufizimin e eksportimit të 54 llojeve të produkteve për në Izrael, përfshirë aluminin, çelikun, produktet e ndërtimit dhe plehrat kimike. Izraeli u kundërpërgjigj duke vendosur po ashtu pengesa tregtare.
Gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se Turqia ka vendosur që t’i bashkohet rastit ligjor të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke shtuar se shumë shpejt Ankaraja do të dorëzojë kërkesë formale për t’u përfshirë në rast.
Afrika e Jugut ka ngritur një lëndë në GJND, duke e akuzuar Izraelin se ka shkelur Konventën për Gjenocid me ofensivën e saj ushtarake kundër Hamasit. Izraeli mohon se fushata e tij ushtarake në Gazë përbën shkelje të kësaj konvente.

MARKETING