Türkiye, në 90 mijë xhami të vendit lexohet Kuran dhe bëhet lutje në reagim ndaj Suedisë

Türkiye, në 90 mijë xhami të vendit lexohet Kuran dhe bëhet lutje në reagim ndaj Suedisë

Gjatë kohës së namazit të sabahut në 90 mijë xhami në të gjithë Türkiye-n u lexua Kuran dhe u bë lutje me qëllim reagimin ndaj djegies së Kuranit para ambasadës së Türkiye-s në Stockholm të Suedisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në të gjitha xhamitë në mbarë vendin u organizua program për leximin e Kuranit, pas thirrjes që bëri kryetari i Çështjeve Fetare të Türkiye-s (Diyanet), Ali Erbaş pas djegies së Kuranit para ambasadës së Türkiye-s në Stockholm.

 

Kreu i Diyanetit, Erbaş mori pjesë në programin që u zhvillua në xhaminë Hacı Bayram-ı Veli dhe ai lexoi suren Al-Fat‘h dhe më pas bëri lutje.

Më pas Erbaş drejtoi faljen e namazit të sabahut.

– “Ata që nuk e njohin Kuranin nuk hezitojnë të jenë armiqësorë ndaj tij”

Në një fjalim pas namazit, Erbaş vuri në dukje se ajeti që lexoi ka kuptimin se “O Muhammed (s.a.v.) ne ta zbritëm ty Kuranin që t‘i nxjerrësh njerëzit nga errësira në dritë” dhe më tej ai shpjegoi procesin e zbritjes së Kuranit.

 

Duke vënë theksin se Kurani duhet të mësohet në mënyrën më të mirë, Erbaş tha se “Njerëzit që nuk e dinë, nuk e njohin Kuranin, nuk hezitojnë të jenë armiqësorë ndaj tij. Sikur ta njihnin, ta hapnin e ta lexonin atë. Ne për këtë duhet të përpiqemi, që të tregojmë përpjekje t’ua shpjegojmë Kuranin më shumë njerëzve”.

“Nga këtu dua t’i bëj thirrje të gjithë botës. Kurani është një libër i dërguar për të gjithë njerëzinë dhe jo i dërguar vetëm për muslimanët. Njiheni, kuptojeni Kuranin dhe bëhuni mik dhe jo armik me të. Sepse Kurani është një libër shpëtues për të gjithë ne”, tha Erbaş i cili theksoi se Islami është fe e mëshirës, begatisë dhe paqes.

 

“Islami është bekimi më i madh që i është dërguar njerëzimit dhe botës”, tha Erbaş duke shprehur se dëshiron që nga ky bekim të përfitojnë të gjithë njerëzit.

“Si të gjithë njerëzit, ne duhet të jetojmë duke respektuar besimin, librin, racën dhe sektin e njëri-tjetrit”, shtoi më tej Erbaş në fjalën e tij.