Trumpi flet për sulme të reja ndaj Iranit
Gjatë dy ditëve të fundit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ngritur vazhdimisht mundësinë që armëpushimi me Iranin të prishet nga sulme të reja ushtarake amerikane. Komentet e tij janë analizuar me shumë kujdes nga ekspertë dhe politikëbërës.
Në një postim në Truth Social më 18 maj, Trump tha se udhëheqësit e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe i kishin kërkuar ta shtynte një “sulm të planifikuar ushtarak”, i cili ishte paraparë për 19 majin, në mënyrë që t’i jepej më shumë kohë diplomacisë.
Më 19 maj, ai deklaroi se sulmi mund të kryhet “të premten, të shtunën, të dielën, ndoshta në fillim të javës së ardhshme”, duke rritur kështu edhe më shumë retoriken ndaj Iranit.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë (REL) disa orë më vonë, kongresisti Don Bacon, republikan në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se sulme të tjera mund të jenë vërtet të nevojshme.
“Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Mendoj se forca ushtarake është e nevojshme”, tha ai.
Bacon mbështeti idenë që Kongresi t’i autorizojë sulmet e tjera, një propozim që kaloi votimin e parë procedural në Senat po atë ditë.
Senatori Lindsey Graham, një aleat i afërt i Trumpit që votoi kundër idesë, është ndër ata që duket se anojnë drejt më shumë veprimeve ushtarake.
Pas komenteve të Trumpit më 19 maj, ai shkroi në rrjetet sociale se “regjimi [iranian] ka pasur kohë me muaj të tërë për të arritur marrëveshje, por mua më duket qartë se ata po luajnë lojëra”.
Admirali Brad Cooper – kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, që mbikëqyr forcat amerikane në gjithë Lindjen e Mesme – tha në një seance dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Kongresit amerikan se “detyra jonë është të jemi gati, dhe ne jemi”.

