Trump urdhëron vendosjen e tabelave paralajmëruese jashtë Muzeut Kombëtar të Historisë Amerikane Smithsonian
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar zyrtarët federalë të vendosin tabela jashtë Muzeut Kombëtar të Historisë Amerikane Smithsonian, duke paralajmëruar vizitorët për atë që ai e përshkroi si informacion “të pasaktë” të paraqitur nga institucioni, transmeton Anadolu.
Sipas CBS News, Direktiva i referohet një raporti prej 162 faqesh të Shtëpisë së Bardhë, të publikuar më 4 korrik me titullin “Shpëtimi i Historisë së Amerikës”, i cili e akuzon muzeun se ka përvetësuar “një kuadër ideologjik që nuk e trajton më historinë amerikane si një trashëgimi të përbashkët kombëtare që duhet të mësohet ose të kremtohet, por si një instrument politik për të përçarë, demoralizuar dhe dekurajuar qytetarët tanë”.
Sipas urdhrit, raporti argumenton se drejtuesit e muzeut Smithsonian e shohin “historinë amerikane si një ‘mjet kryesor’ për të avancuar idetë e drejtësisë sociale dhe transformimin radikal të shoqërisë sonë”.
Trump iu referua gjithashtu rekomandimit të raportit që muzeu të vendosë mbi çdo hyrje tabelën me tekstin: “Paralajmërim: ekspozitat në këtë muze janë përgatitur nga njerëz që nuk duan që ju ta doni vendin tuaj”.
Presidenti amerikan udhëzoi zyrtarët federalë të vendosin tabela të përkohshme përgjatë rrugicave që çojnë drejt muzeut, duke informuar vizitorët për gjetjet e raportit dhe duke i orientuar ata drejt vendeve dhe burimeve të tjera për “informacion të saktë në lidhje me historinë e Amerikës”.
Smithsonian tha për CBS News se nuk kishte koment për urdhrin ekzekutiv.

