Trump thotë se SHBA-ja dëshiron ta ndihmojnë Kubën
Presidenti Donald Trump tha të enjten se SHBA-ja po kërkon të ndihmojë popullin kuban dhe mohoi se mbërritja e fundit e një aeroplanmbajtëseje amerikane pranë Kubës kishte për qëllim të frikësojë qeverinë e ishullit, raporton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet nëse dislokimi i aeroplanmbajtëses këtë javë ishte një paralajmërim për Havanën.
“Jo, aspak”, u përgjigj Trump.
“Kubanët — është një vend i dështuar. Të gjithë e dinë se nuk kanë energji elektrike, nuk kanë para, nuk kanë vërtet asgjë. Nuk kanë ushqim, dhe ne do t’i ndihmojmë, dhe do t’i ndihmojmë”, tha ai.
Trump tha se qasja e administratës së tij ndaj Kubës do të fokusohet në çështje humanitare, si dhe në forcimin e lidhjeve me kubano-amerikanët në SHBA, veçanërisht në shtetin e Floridës.
“Së pari, dua t’i ndihmoj ata, në bazë humanitare, por kemi popullatën kubano-amerikane, pjesa më e madhe e saj jeton në Miami dhe Florida, është një grup i madh njerëzish”, tha Trump. “Një grup i jashtëzakonshëm njerëzish, punëtorë. Janë amerikanë të shkëlqyer”, shtoi ai.
Trump tha se shumë kubano-amerikanë shpresojnë që një ditë të kthehen në Kubë për ta rindërtuar dhe investuar.
“Ata i kanë dashur këto gjëra dhe duan të kthehen në vendin e tyre, duan të ndihmojnë vendin e tyre,” tha ai. “Shpresoj që do të qëndrojnë këtu, por duan të kthehen, duan të investojnë në vendin e tyre dhe të shohin nëse mund ta ringjallin atë”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se administrata e tij dëshiron “ta hapë mundësinë për kubano-amerikanët që të mund të kthehen dhe të ndihmojnë”.

