Trump shqyrton ndalimin e eksporteve të naftës dizel, paralajmëron për ndikimin në çmimet e benzinës
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton ndalimin e eksporteve të naftës dizel, por paralajmëroi se kjo masë mund të rrisë çmimet e benzinës, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë pas një njoftimi mbi investimet e Koresë së Jugut në projektet energjetike të SHBA-së, Trump tha se diskuton rregullisht këtë mundësi me sekretarin e Energjisë, Chris Wright dhe sekretarin e Brendshëm, Doug Burgum.
“Po e mendoj”, tha Trump kur u pyet nëse kishte vendosur të ndalonte eksportet e naftës dizel. Ai tha se Wright dhe Burgum besojnë se një ndalim mund të ndihmojë në uljen e çmimeve të naftës dizel, por mund të rrisë çmimet e produkteve të tjera, përfshirë benzinën.
Trump tha se pret që çmimet e naftës të fillojnë të bien, duke iu referuar asaj që e përshkroi si vëllime të mëdha nafte që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Ai ia atribuoi problemet me furnizimin me naftë dizel kryesisht ndërprerjeve në rafineritë ruse të naftës dizel, në kuadër të luftës Rusi-Ukrainë dhe jo zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
“Rafineritë ruse të naftës dizel po nxirren jashtë funksionit me një ritëm alarmues”, tha Trump, duke argumentuar se ndërprerjet kanë qenë faktori kryesor pas mungesës së naftës dizel. Wright tha se administrata ka punuar çdo ditë, prej javësh dhe muajsh, për të trajtuar këtë çështje.
Ai theksoi se çmimet e naftës dizel ranë javën e kaluar dhe tha se pret ulje të mëtejshme të ndjeshme në ditët dhe javët e ardhshme ndërsa priten së shpejti njoftime për masa që synojnë lehtësimin e presioneve mbi furnizimin.
Wright tha se humbja e furnizimeve ruse me naftë dizel e kishte shtrënguar tregun ndërsa ndërprerjet e eksporteve nga Lindja e Mesme dhe Kina kishin shtuar presionin. Ai tha se rafineritë amerikane po prodhojnë në nivele rekord, duke shtuar se njoftimet e ardhshme për furnizime shtesë me naftë dizel nga Evropa do të ndihmojnë në uljen e ndjeshme të çmimeve.
Sipas Shoqatës Amerikane të Automobilizmit (AAA), çmimi mesatar i naftës dizel në SHBA arriti rekord prej 6,53 dollarësh për gallon më 22 shtator, përpara se të binte në 6,41 dollarë më 30 shtator.

