Trump ishte “një orë larg rifillimit të sulmeve” ndaj Iranit para se të shtynte ofensivën
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do t’i kishte rifilluar sulmet ndaj Iranit brenda një ore po të mos i kishte shtyrë më herët gjatë javës me kërkesë të aleatëve rajonal, teksa Teherani zbuloi detaje të një propozimi të ri për t’i dhënë fund luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli në muajin shkurt, transmeton Anadolu.
“Ata e dinin se ishim shumë afër. Do të thosha se isha një orë larg marrjes së vendimit për të vepruar sot”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ai tha se SHBA-ja mund t’i japë Iranit “edhe një goditje të madhe” nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje të përhershme në ditët në vijim.
“Ata po luten për të arritur një marrëveshje. Shpresoj të mos na duhet lufta, por mund të na duhet t’u japim një tjetër goditje të madhe. Po them, dy ose tre ditë, ndoshta të premten, të shtunën, të dielën, diçka e tillë. Ndoshta në fillim të javës tjetër, për një periudhë të kufizuar, sepse nuk mund t’i lejojmë të kenë një armë të re bërthamore”, tha Trump.
Më herët, zv/ministri iranian i Punëve të Jashtme, Kazem Gharibabadi, zbuloi detaje të propozimit më të fundit të Teheranit, dorëzuar SHBA-së gjatë një takimi me Komitetin parlamentar për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme. SHBA-ja ende nuk është përgjigjur.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, Gharibabadi tha se propozimi thekson “të drejtën e Iranit për pasurim uraniumi dhe aktivitete bërthamore paqësore”.
Propozimi përfshin “fundin e konflikteve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, heqjen e bllokadës detare amerikane, lirimin e aseteve iraniane, si dhe kompensimin nga SHBA-ja për dëmet e shkaktuara gjatë luftës së fundit për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit”.
Gharibabadi tha se propozimi gjithashtu kërkon “heqjen e të gjitha sanksioneve të njëanshme dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth Republikës Islamike”.
Më 10 maj, Irani dorëzoi përgjigjen e tij ndaj një propozimi amerikan përmes ndërmjetësuesve pakistanezë. Por Trump më vonë e përshkroi ofertën e Teheranit si “plotësisht të papranueshme”. Dje, mediat iraniane raportuan se Teherani më pas ka paraqitur një propozim të rishikuar me 14 pika përmes të njëjtit kanal.
Të shtunën, Trump kërcënoi me përshkallëzim të ri ushtarak ndaj Iranit, duke publikuar në Truth Social një imazh të anijeve luftarake me flamurin amerikan, përfshirë një anije që mbante flamurin iranian, shoqëruar me frazën: “Ishte qetësi para stuhisë”.
Dje, Trump tha se ka shtyrë një sulm të planifikuar për sot ndaj Iranit me kërkesë të Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ai shtoi se ka udhëzuar Departamentin e Mbrojtjes “të jetë i gatshëm të vazhdojë me një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë ndaj Iranit në çdo moment, nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme”.
Pas ngecjes së negociatave të ndërmjetësuara nga Pakistani, SHBA më 13 prill vendosi një bllokadë ndaj porteve iraniane, përfshirë ato përgjatë Ngushticës së Hormuzit.
Irani më pas u kundërpërgjigj duke mbyllur korridorin detar dhe duke kërkuar që anijet të koordinojnë kalimin me Teheranin, mes frikës se armëpushimi i brishtë mund të shembet nëse nuk arrihet marrëveshje.

