Trump: Gadishulli i Krimesë “do t’i mbetet Rusisë” në kuadër të çdo marrëveshjeje paqeje

Gadishulli i Krimesë i Ukrainës “do t’i mbetet Rusisë” në kuadër të çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit ndaj fqinjit të saj lindor të Evropës, ka thënë presidenti i SHBA-së Donald Trump, transmeton Anadolu.
“Krimea do të qëndrojë me Rusinë. Dhe Zelenskyy e kupton këtë, dhe të gjithë e kuptojnë se ka qenë me ta për një kohë të gjatë. Ka qenë me ta shumë kohë para se të vinte Trump”, ka thënë Trump gjatë një interviste për revistën “Time” të publikuar sot.
Mbështetja e fortë e qëndrimit të Rusisë erdhi vetëm disa ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Kievi nuk do ta njohë kurrë pushtimin e Krimesë nga Moska, komente që e shtynë Trumpin të sulmonte udhëheqësin ukrainas.
Trump akuzoi Zelenskyyn të mërkurën për zgjatjen e “vrasjeve” në Ukrainë për shkak të refuzimit të tij, por pretendoi se “askush nuk po i kërkon Zelenskyyt të njohë Krimenë si territor rus”.
Krimea është një gadishull strategjik i njohur ndërkombëtarisht si territor ukrainas.
Rusia e pushtoi atë në vitin 2014 kur ish-presidenti Barack Obama ishte në detyrë, tetë vjet para se Kremlini të niste ofensivën e tij në shkallë të gjerë në Ukrainë.
Administratat e njëpasnjëshme amerikane, përfshirë të parën të Trumpit, refuzuan ta njihnin sovranitetin rus mbi territorin.
“Krimea u shkoi rusëve. Iu dha atyre nga Barack Hussein Obama, dhe jo nga unë. Meqë bie fjala, a do të jenë në gjendje ta marrin atë përsëri? Ata i kanë pasur rusët e tyre. Ata i kanë pasur nëndetëset e tyre atje shumë kohë para çdo periudhe për të cilën po flasim, për shumë vjet”, tha Trump.
“Ajo nuk u dha nga Trump. A do të më ishte marrë mua siç iu mor Obamës? Jo, nuk do të kishte ndodhur. Krimea, nëse do të isha president, nuk do të ishte marrë”, shtoi ai.
“Time” tha në artikullin e saj se sipas planit të paqes të Trumpit, Ukraina do t’ia dorëzonte afërsisht 20 për qind të territorit të saj Rusisë, megjithëse është e paqartë nëse kjo bazohet në komentet e presidentit apo në ndonjë burim tjetër.