Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut humbin jetën në një aksident në Slloveni
Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku të ndodhur dje në autostradën bregdetare, pranë Unecit, në Slloveni.
Sipas të dhënave fillestare, aksidenti ka ndodhur pasi një kamion, për shkak të një defekti, ishte ndalur në hapësirën e paraparë për ndalim. Për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, automjeti në të cilin udhëtonin pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut është përplasur me pjesën e pasme të majtë të rimorkios së kamionit.
Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë humbur jetën në vendngjarje. Vdekja e tyre është konstatuar nga mjeku.
Një prej të lënduarve, i cili ka pësuar lëndime të rënda, është transportuar me helikopter në spital, ndërsa drejtuesi i automjetit është dërguar për trajtim mjekësor me autoambulancë.
Deri më tani, autoritetet sllovene nuk kanë publikuar të dhëna për identitetin dhe moshën e viktimave, si dhe për gjendjen shëndetësore të dy personave të lënduar.
Në vendin e aksidentit kanë intervenuar një numër i madh i ekipeve policore, zjarrfikësve dhe shërbimeve mjekësore, të cilat kanë marrë pjesë në operacionin e shpëtimit dhe në menaxhimin e pasojave të aksidentit.

