Toshkovski: Jemi të fokusuar në sistemin funksional për ndjekjen e trafikut me kamera
Punohet në një zgjidhje teknike krahas së cilës na duhet edhe zgjidhje ligjore për sistem funksional gjatë ndjekjes së trafikut me kamera, informon sot ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.
Ai theksoi se qëllimi është vendosja e kamerave në funksion me të cilat do të vërtetohen dhe sanksionohen shkeljet e trafikut, të njihen viktimat në trafik dhe të rritet kultura e trafikut.
Vendosja e kamerave duhet të mbulojë edhe një pjesë të punëve kriminalistike të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Jemi të fokusuar në ofrimin e një zgjidhjeje adekuate dhe teknike, aktualisht jemi duke punuar në një zgjidhje teknike dhe ligjore që do të na mundësojë të kemi një sistem funksional. Dhe kur filloi projekti, askush nuk mendoi në drejtimin se si do të vihej realisht në funksion i gjithë sistemi. Sa gjoba do të shqiptojë në bazë ditore, a do të mund të përpunohen nga punonjësit brenda Ministrisë, si do të procesohen. Kush do ta udhëheqë procedurën, a duhet të rritet numri i të punësuarve në Ministri, kush i ka kryer kundërvajtjet nga aspekti i nxjerrjes së kundërvajtjeve. A do të shkojnë në gjykatë, si do të veprojë gjykata, aktualisht një gjyqtar për kundërvajtje në Shkup punon në më shumë se 2000 lëndë në baza ditore dhe cakton më shumë se 45 gjykime. Kush do t’i përpunojë ato lëndë?. Qëllimi ynë është që në fund të shohim përfitimin në uljen e numrit të viktimave dhe ngritjen e kulturës së trafikut”, tha Toshkovski gjatë vizitës në Jegunovc.
Ai sqaroi se kamerat konkretisht duhet të vërtetojnë kundërvajtjen e kryer në tre segmente: parkim të gabuar, kalim në dritë të kuqe dhe shpejtësi të palejuar.
“Një nga projektet kyçe nëse nuk duam të ketë nga qindra viktima në bazë vjetore, duhet të ngritim kulturën e trafikut jo një shkallë, por tre, katër shkallë e më lartë”, tha Toshkovski.
Në pyetjen e gazetarëve edhe sa qytetarë nuk i kanë ndërruar dokumentet personale theksoi se ka mbetur një numër i vogël dhe se kaosi është zgjidhur para një muaji.
“Ka mbetur edhe një numër i vogël. Saktë nuk mund të them sa. Nuk është i saktë informacioni i cili ishte përhapur në opinion se një milionë patentë shoferi duhet të rilëshojmë. Mendoj se numri është diku rreth 200.000 të cilat duhet të jepen në periudhën e mbetur. Mendoj se kemi kapacitet për ta bërë këtë. Sërish këtu kemi dezinformata të përhapjes së gënjeshtrave nga ana e njerëzve të cilët nuk e duan vendin e tyre për të trembur ose defokusuar ose nuk e di se ç’farë bëjnë. MPB do të punojë në interes të qytetarëve”, tha Toshkovski.
Ai ishte për vizitë në zyrën e re të shërbimeve administrative e cila filloi me punë në departamentin policor në Jegunovc dhe komunën e Qendrës.