TikTok-u dhe nafta, vënë në sprovë besnikërinë e votuesve të rinj ndaj Presidentit Biden

TikTok-u dhe nafta, vënë në sprovë besnikërinë e votuesve të rinj ndaj Presidentit Biden
President Joe Biden pauses as he speaks about the bombings at the Kabul airport that killed at least 12 U.S. service members, from the East Room of the White House, Thursday, Aug. 26, 2021, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)

Lëvizjet më të fundit të Presidentit Biden për të ushtruar trysni ndaj kompanisë TikTok për shkak të pronësisë së saj kineze, si dhe miratimi i kërkimeve për naftë në një zonë të pashfrytëzuar më parë në Alaska, po testojnë besnikërinë e votuesve të rinj, një grupim që ka qenë përgjithësisht në mbështetje të tij.

Pjesëmarrja e të rinjve në votime u rrit gjatë tre zgjedhjeve që kur Donald Trump u zgjodh president në vitin 2016, duke e ndihmuar kështu Presidentin Biden që të fitojë në shtetet e lëkundura në vitin 2020, për të fituar një vend për demokratët në Senat dhe për të ulur humbjet e mundshme në përfaqësimin në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit 2022.

Por, presidenti 80-vjeçar nuk ka qenë kandidati i preferuar i të rinjve liberalë të cilët dëshirojnë një brez të ri udhëheqësish amerikanë. Ndërsa Presidenti Biden përgatitet për një fushatë të pritshme rizgjedhjeje, një masë e mundshme ndalimi ndaj TikTok-ut dhe kërkimet për naftë në Alaska mund ta dëmtojnë kandidimin e tij.

Gjithashtu, plani i tij për të falur miliarda dollarë borxhe studentore është në pikëpyetje ndërsa po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.

Rreziku për Presidentin Biden nuk paraqitet më shumë nga mundësia që votuesit e rinj të majtë të votojnë për republikanët, se sa nga mundësia që ata të mos marrin pjesë fare në zgjedhje.

“Unë jam demokrat, por nuk do të votoj për Bidenin”, tha Mark Buehlmann, një student 20-vjeçar në Universitetin Shtetëror të Arizonas. Ai thotë se ndoshta do të abstenojë nëse Presidenti Biden do të jetë i nominuari i Partisë Demokrate, siç pritet të ndodhë. “Ai ndoshta ka aftësinë të bëjë një punë të mirë, por nuk është në gjendje t’i bashkojë njerëzit. Në veçanti bazën demokrate. Nuk mendoj se është një kandidat i fortë”.

TikTok-u u mundëson përdoruesve të tij, 150 milionë prej të cilëve janë në Shtetet e Bashkuara, të publikojnë video të shkurtra krijuese për miqtë e tyre dhe për të panjohurit. Algoritmi i tij ka aftësinë e çuditshme për të kuptuar se cilat janë interesat e përdoruesve të tij dhe për t’u ofruar kështu atyre videot që do t’u pëlqenin më shumë.

Qeveritë perëndimore janë gjithnjë e më të shqetësuara se kompania me seli në Pekin që zotëron TikTok-un, ByteDance, mund t’ia japë historikun dhe të dhënat e tjera të klientëve të saj qeverisë kineze, apo se mund të bëjë propagandë apo dezinformim. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisje të qeverisë.

Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Investimet e Huaja, pjesë e strukturës së Departamentit të Thesarit, ka kërcënuar se do ta ndalojë TikTok-un, nëse kompania ByteDance nuk shet pjesën e saj të pronësisë së këtij aplikacioni, thuhet në një artikull të publikuar këtë muaj në gazetën The Wall Street Journal.

Në intervistat në shtetin e Arizonës, një nga kampuset më të mëdha universitare në Shtetet e Bashkuara dhe një kontribues në fitoren e ngushtë të zotit Biden me 10 mijë vota në këtë shtet të lëkundur, të rinjtë e përshkruan ndalimin e TikTok-ut si si diçka mes “bezdisë” dhe të “pashmangshmes”, por jo si diçka që do t’i bënte të ndryshonin pikëpamjet e tyre për presidentin.

“Shumica e njerëzve nuk mendojnë vërtet për këto lloj gjërash”, tha duke iu referuar ndalimin të TikTok-ut Lucas Vittor, student 19-vjeçar i administrimit të biznesit nga Hjustoni. “Unë mendoj se ata ndoshta do ta shohin thjesht si: “Ai është një udhëheqës shtypës, një person në moshë të vjetër, ai nuk di për mediat sociale’”.

“Nuk është vërtet çështje e Bidenit”, tha Ginny Xu, një studente 20-vjeçare e inxhinierisë kimike nga Goodyear, Arizona. “Është më shumë diçka dypartiake – ‘siguria’ nga Kina”.

“Humbja e qasjes në TikTok do të ishte zhgënjyese”, tha zonja Xu, por nuk do ta pengonte atë të votonte për Presidentin Biden nëse nuk ka zgjedhje më të mirë nga radhët e demokratëve.

Shoqja e saj, studentja 20-vjeçare e inxhinierisë kimike, Maddie Bruce, ra dakord.

“Thjesht nuk jam një mbështetëse e madhe e Joe Bidenit”, tha zonja Bruce. Ajo do të preferonte të shihte një kandidat tjetër demokrat, por do të votonte sërish për Presidentin Biden, tha ajo.

Të rinjtë nuk kanë votuar kurrë me të njëjtat ritme si prindërit dhe gjyshërit e tyre, por pjesëmarrja e tyre është rritur ndjeshëm që nga fillimi i presidencës së zotit Trump.

Sipas Qendrës për Informacion dhe Kërkim mbi Mësimin dhe Angazhimin Qytetar në Universitetin Tufts, e cila studion votuesit e rinj, zgjedhjet afatmesme në 2018 dhe 2020 sollën nivelet më të larta të pjesëmarrjes së të rinjve në tre dekadat e fundit.

Dhe kur ata votojnë, të rinjtë votojnë në shumicë dërrmuese për demokratët.

Presidenti Biden fitoi 63% të votuesve të moshës 18 deri në 24 vjeç, krahasuar me 34% për ish-Presidentin Trump, sipas AP VoteCast, një anketim i gjerë i elektoratit.

“Një ndalim i TikTok-ut mund të irritojë shumë votues të rinj, por Presidenti Biden mund të nxjerrë në pah historikun e fortë të mbrojtjes së interesave të të rinjve”, tha Jack Lobel, zëdhënës i Voters of Tomorrow, që mobilizon votuesit e rinj.

Presidenti Biden është përpjekur të ofrojë lehtësim nga borxhet e kredive studentore dhe ka mbrojtur të drejtat e abortit. Ai nënshkroi një projekt-ligj masiv për shpenzimet klimatike së bashku me ligjin më gjithëpërfshirës në dekada për dhunën me armë.

Megjithatë, administrata e Presidentit Bidenit i zemëroi ambientalistët dhe të rinjtë me miratimin e projektit të madh Willow për kërkime për naftë në pjesën veriore të Alaskës.

Të rinjtë kanë qenë veçanërisht aktivë në përpjekjet për të reduktuar në mënyrë drastike kërkimet për naftë dhe për t’u larguar nga mbështetja tek karburantet fosile. Përpara vendimit të presidentit, një fushatë #StopWillow, që i kërkonte Presidentit Biden ta bllokonte projektin, mori miliona shikime në TikTok.

 

MARKETING