Thunder një fitore larg finales së NBA-së, Spurs të revoltuar me gjykimin

Thunder një fitore larg finales së NBA-së, Spurs të revoltuar me gjykimin

Oklahoma City Thunder mposhti San Antonio Spurs me rezultatin 127:114 në ndeshjen e pestë të finales së Konferencës Perëndimore dhe kaloi në epërsi 3:2 në seri, duke iu afruar vetëm një fitore larg finales së madhe të NBA-së.

Lideri i Thunder, Shai Gilgeous-Alexander, ishte sërish vendimtar me 32 pikë, ndërsa nga stoli shkëlqeu Alex Caruso me 22 pikë. Një paraqitje shumë të mirë pati edhe Jared McCain, i cili startoi për herë të parë në playoff për shkak të mungesave të Jalen Williams dhe Ajay Mitchell, duke e mbyllur ndeshjen me 20 pikë.

Thunder reagoi fuqishëm pas paraqitjes së dobët në ndeshjen e katërt, ku kishte realizuar vetëm 82 pikë. Këtë herë, skuadra vendase dominoi sidomos në çerekun e dytë, ku shënoi plot 40 pikë dhe krijoi një epërsi prej 20 pikësh në periudhën e tretë.

Chet Holmgren kontribuoi me 16 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Isaiah Hartenstein shtoi 12 pikë dhe 15 kërcime.

 

Te Spurs, më efikasi ishte Stephon Castle me 24 pikë, ndërsa Julian Champagnie realizoi 22 pikë. Ylli francez Victor Wembanyama e mbylli takimin me 20 pikë, por pati një mbrëmje të vështirë në gjuajtje, duke realizuar vetëm katër nga 15 tentimet nga loja.

San Antonio pati probleme edhe nga vija e treshit, duke humbur 29 nga 41 tentimet për tri pikë.

Pas ndeshjes, rrjetet sociale u mbushën me reagime për disa vendime të diskutueshme të gjyqtarëve në favor të Thunder, të cilat shkaktuan zemërim te lojtarët dhe tifozët e Spurs, sidomos në fund të çerekut të tretë.

Ndeshja e gjashtë e serisë do të zhvillohet të enjten në San Antonio. Nëse seria shkon në ndeshjen vendimtare, takimi i shtatë do të luhet në Oklahoma City të shtunën. Fituesi i finales së Konferencës Perëndimore do të përballet me New York Knicks në finalet e NBA-së që nisin më 3 qershor.

 

MARKETING