Thirrjet nacionaliste të tifo-grupit “Çkembari”, reagon Ziadin Sela: MPB dhe zv.ministri shqiptar në heshtje dhe spektator

Pas thirrjeve skandaloze të tifo-grupit “Çkembari”, se do të ketë incidente tjera ndaj shqiptarëve, siç ishte rasti ditë më parë edhe me shqiptarin me shtetësi suedeze në Manastir, ka reaguar edhe kryetari i ASH-së, Ziadin Sela. Sipas tij, thirrja e tifo-grupit “Çkembari” ku po bëhen thirrje publike me tone nacionaliste ndaj shqiptarëve, po i hesht edhe organet kompetente MPB-në, duke i cilësuar këta të fundit si spektator.
Shkrimi i plotë i Ziadin Selës:
Sulmi fizik ndaj të riut shqiptar në Manastir nuk ka qenë vetëm incident, por një sulm i mirë organizuar dhe tani publikisht autorët e porositësit edhe mburren me veprimin e tyre. Për të mos mjaftuar ky rast, tifo grupi “Çkembari” me tone nacionaliste paralajmërojnë edhe sulme të tjera, kërcënojnë shqiptarët dhe të gjitha komunitetet e tjera haptas, ndërsa MPB dhe organet e tjera heshtin dhe bëjnë spektatorin. Në një postim publik kërcënohen haptas shqiptarët, përdoret gjuhë e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe përdorimit të flamurit shqiptar i cili është i garantuar me Kushtetutë, që nënkupton se ky grup cënon edhe rendin kushtetues, ndërsa shteti vazhdon të hesht. Po hesht edhe MPB edhe zëvendësministri shqiptar në këtë ministri, edhe ministrat e tjerë, edhe prokuroria e gjithkush që ka përgjegjësi.
Kush do t’i mbrojë qytetarët shqiptarë nga realizimi i këtyre kërcënimeve që po bëhen haptas nga ky grup?