Thellohet bashkëpunimi midis Fakulteteve Filozofike të UP-së dhe UT-së 

Thellohet bashkëpunimi midis Fakulteteve Filozofike të UP-së dhe UT-së 

Më 13 qershor 2025, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës mirëpriti një delegacion nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, të kryesuar nga Dekani, Prof. Dr. Bekim Baliqi. Vizita kishte për qëllim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

MARKETING

Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorët, i uroi mirëseardhje delegacionit dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të deritanishme ndërmjet dy fakulteteve, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme akademike dhe kërkimore.

Në të njëjtën frymë, Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Bekim Baliqi, vlerësoi mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë për takimin, duke theksuar nevojën për intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.

Gjatë kësaj vizite u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi, i cili shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Prishtinës.

Bashkëpunimi do të përfshijë: projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbim të stafit hulumtues dhe mësimdhënësve, shkëmbim të studentëve, organizim të seminareve, konferencave, punëtorive të përbashkëta dhe të ngjashme, shkëmbim të botimeve shkencore dhe materialeve tjera për qëllime kërkimi dhe arsimimi.

Kjo vizitë dhe marrëveshja e arritur konfirmojnë angazhimin e përbashkët për zhvillimin arsimor – shkencor dhe krijimin e një platforme të bashkëpunimit të suksesshëm midis dy universiteteve.

MARKETING