Tërmet 5.1 ballë në Peru, një viktimë dhe dhjetë të plagosur

Tërmet 5.1 ballë në Peru, një viktimë dhe dhjetë të plagosur

Një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur pas një tërmeti me magnitudë 5.1 ballë që goditi Perunë qendrore të shtunën në mbrëmje.

Lëkundjet u regjistruan pranë qytetit Chupaca, në rajonin malor të Andeve, Junín, me epiqendër në një thellësi prej rreth 24 kilometrash. Rreth 17 minuta pas goditjes kryesore, një tjetër lëkundje me magnitudë 3.7 preku të njëjtën zonë, por me intensitet më të ulët.

Dëmet më të mëdha janë raportuar në distriktin Chongos Bajo, ku u regjistrua edhe viktima e parë. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur identitetin e personit që humbi jetën dhe vijojnë vlerësimin e pasojave të tërmetit.

Në qytetin Huancayo, dy spitale u dëmtuan nga lëkundjet, përfshirë Spitalin Daniel Alcides Carrión, ku u trajtuan personat e plagosur, si dhe Spitalin El Carmen për Nënën dhe Fëmijën, ku u raportuan çarje në njësinë e kujdesit intensiv pediatrik.

Tërmeti shkaktoi dëmtime edhe në disa monumente historike, mes tyre kryqi prej guri Cani Cruz në Chongos Alto dhe pjesë të manastirit të vjetër Santiago de León. Në disa zona u raportuan gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas vlerësimeve paraprake të Komitetit Kombëtar të Operacioneve të Emergjencave (COEN), rrjeti kombëtar i autostradave nuk ka pësuar dëmtime të rëndësishme. Autoritetet vijojnë kontrollet për të përcaktuar përmasat e plota të dëmeve.

MARKETING