Tensionet në Lindjen e Mesme mund “të ngadalësojnë” ekonominë zvicerane dhe “të nxisin” inflacionin
Ekonomistët e bankës UBS kanë paralajmëruar se rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe çmimet në rritje të energjisë pritet të ngadalësojnë ekonominë e Zvicrës dhe të rrisin inflacionin, transmeton Anadolu.
Sipas raportit të bankës zvicerane, një konflikt i zgjatur që përfshin SHBA-në dhe Iranin mund ta çojë çmimin e naftës mbi 150 dollarë për fuçi, duke rikthyer frikën e recesionit dhe duke krijuar rreziqe të mëdha për ekonominë zvicerane.
“Rritja e çmimeve të produkteve të naftës, si benzina dhe nafta për ngrohje, aktualisht po u kushton konsumatorëve zviceranë rreth 170 milionë franga zvicerane (mbi 215 milionë dollarë) në muaj”, thanë në studim ekonomistët e UBS-së, Alessandro Bee dhe Matteo Mosimann.
Ata theksuan se besimi i konsumatorëve u dobësua ndjeshëm në muajt mars dhe prill, duke rënë në “nivelin më të ulët në pothuajse dy vjet e gjysmë”, teksa çmimet e karburanteve u rritën.
Ekonomistët thanë se presin që furnizimet globale me naftë të normalizohen në gjysmën e dytë të vitit nëse tensionet mes SHBA-së dhe Iranit zbuten.
Megjithatë, edhe në atë skenar, studimi paralajmëron se “ekonomia zvicerane ka të ngjarë të vuajë, edhe pse kjo mbetet e menaxhueshme”.
UBS-ja uli parashikimin e saj për rritjen ekonomike të Zvicrës për vitin 2026, duke pritur tani që rritja e prodhimit të brendshëm bruto, e përshtatur për ngjarjet sportive, të arrijë në 0,7 për qind nga 0,9 për qind që ishte parashikuar para përshkallëzimit të konfliktit në fund të muajit shkurt.
Banka gjithashtu rriti parashikimin për inflacionin, duke parashikuar rritje të çmimeve të konsumit prej 0,6 për qind këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
Ekonomistët paralajmëruan se një mbyllje e zgjatur e Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë “një ngadalësim më të theksuar të rritjes ekonomike apo edhe recesion në rast të mungesës së naftës” në Zvicër.

