Teleferiku në Vodno këtë verë nuk do të funksionojë

Teleferiku në Vodno këtë verë nuk do të funksionojë

Teleferiku i Shkupit nuk do të rifillojë punën as gjatë muajve të verës, pasi janë konstatuar dëmtime serioze teknike gjatë inspektimeve të fundit. Fillimisht i mbyllur më 25 prill për një kontroll rutinë dyditor, teleferiku ka mbetur jashtë funksionit pas zbulimit të problemeve të konsiderueshme të sigurisë.

Sipas autoriteteve të qytetit dhe kompanisë prodhuese austriake, kontrollet teknike kanë evidentuar konsumim të pjesëve të gomës dhe defekte në sensorë, të cilët janë thelbësorë për funksionimin e sigurt të sistemit. Këto probleme, sipas raportit, mund të përbëjnë rrezik potencial për shkëputjen e kabinave nga kablli mbajtës.

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se është vendosur pezullimi i plotë i funksionimit të teleferikut deri në realizimin e një servisi të përgjithshëm, i cili nuk është kryer që nga vënia e tij në përdorim para 15 vitesh. Ai theksoi se siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut dhe se tashmë është kërkuar ofertë për kostot e riparimit dhe modernizimit të plotë të sistemit.

“Pas inspektimit, është konstatuar se teleferiku është në gjendje të rënduar dhe kërkon ndërhyrje të thella. Ne duhet të sigurohemi që çdo qytetar, veçanërisht fëmijët, të jenë plotësisht të mbrojtur gjatë përdorimit të tij,” u shpreh Gjorgjievski, duke theksuar nevojën për veprime të menjëhershme dhe të përgjegjshme për të shmangur rreziqet e mundshme.

Derisa të përfundojë servisi i plotë dhe të sigurohet funksionimi i sigurt, akses në majën e Vodno do të mundësohet vetëm përmes rrugës automobilistike ose shtigjeve për ecje.

MARKETING