Të enjten në Shkup do të ketë regjim të posaçëm në trafik

Sektori për Punë të Brendshme në Shkup njofton se ditën e enjte, më 1 maj 2025, për shkak të mbajtjes së një proteste, në kryeqytet do të vendoset regjim i posaçëm i qarkullimit rrugor.
Protesta do të nisë përpara ndërtesës së Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), në rrugën “Mirçe Acev”. Më pas, protestuesit do të vazhdojnë lëvizjen përgjatë disa rrugëve kryesore të qytetit: “Filipi i Dytë i Maqedonisë”, “11 Tetori”, “Dimitrie Çupovski”, “Vasil Gllavinov”, bulevardet “VMRO” dhe “Ilinden”, deri te ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
SPB-Shkup u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë udhëzimet dhe urdhrat e policisë për të garantuar sigurinë dhe rrjedhshmërinë e qarkullimit gjatë zhvillimit të protestës.