Taravarit: 10.3 miliardë denarë rritje të buxhetit për institucionet shëndetësore
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se për këtë vit është planifikuar një buxhet rekord për investime në klinika universitare, spitale, qendra dhe shtëpi shëndeti. Buxheti i dedikuar për sektorin shëndetësor është mbi 10.3 miliardë denarë më i lartë se ai i vitit të kaluar.
Për herë të parë në historinë e vendit, buxheti total për institucionet shëndetësore arrin në 33.872.682.000 denarë. Për krahasim, buxheti për vitin 2023 ishte 22.991.425.000 denarë.
“Ky investim i konsiderueshëm është dëshmi e përkushtimit dhe angazhimit tonë për të mbështetur institucionet shëndetësore. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e tyre dhe nevojën për përmirësim të infrastrukturës dhe stafit shëndetësor”, tha Ministria e Shëndetësisë.
Ky buxhet vjen pas një sere hapash të tjera të rëndësishme, duke përfshirë rritjen e pagave dhe përforcimin e stafit profesional mjekësor në sektorin shëndetësor, duke theksuar kështu angazhimin për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend.